30 maj 2009

Nedved edhe një vit bardhezi, Iakuinta rinovon

Çeku shkon drejt rinovimit, ndoshta edhe për një sezon, ndërsa sulmuesi zgjat kontratën deri më 2013-ën
Tashmë nuk do të largohet më. Vinçenco Iakuinta do të qëndrojë te Juventusi dhe do të rinovojë kontratën. Një marrëveshje e arritur dje, ku njoftimi zyrtar pritet të bëhet në orët e ardhshme. Iakuinta rinovon pra, dhe ndoshta Nedved rimendohet. Ideja është kjo: bjondi çek nuk dorëzohet më, jo këtë vit. Dhe me klubin po vlerëson hipotezën e nëj kontrate të re. Me siguri edhe një vit tjetër, ndoshta edhe dy. Një gjë është e sigurt: ajo e së dielës, nuk do të jetë festa e tij e lamtumirës. Përveç presionit të të gjithë mjedisit bardhezi, vendimtare ka qenë edhe siguria e kthimit në Ligën e Kampioneve, prej kohësh objektivi i madh i kampionit 36-vjeçar. “Asgjë s’është e pamundur, pyesni Juven”, - thotë menaxheri i Pavelit, Mino Raiola, duke ndezur shpresat e reflektimit të lojtarit. Nga ana tjetër, klubi bardhezi s’ka përgatitur asnjë festë për lamtumirën e tij të mundshme këtë të dielë ndaj Lacios. “Nuk do të tërhiqet? Ishte ai që na ka thënë shpesh këtë vit lamtumirë, - tha Koboli Xhilji. - Unë kur e shoh në fushë, mendoj se është akoma një sportist i madh. Nëse do të qëndrojë, duhet të na takojë.”
Nëse për Nedvedin po punohet akoma, për Iakuintën është gjë e mbyllur. Një vit më shumë, skadenca e kontratës në qershor 2013-të. Dhe një rritje rroge. Rreth 2.5 milionë euro në sezon, që do të thotë se është gjetur një marrëveshje mesatare, sepse kërkesa e parë e menaxherit të sulmuesit ishte 3 milionë euro dhe sepse rroga e tij aktuale është 2 milionë euro. Ishte dhe mbetet gjithsesi rroga më e ulët mes katër sulmuesve bardhezinj. Por Iakuinta ka fituar vendin në formacion pas një qëndrimi të gjatë në stol: 13 gola, 10 në kampionat, 3 në Champions.
Duke shënuar, vrapuar dhe refuzuar ofertat që i vinin nga jashtë. Një në veçanti, ajo e Zenitit që në janar donte të afronte 13 milionë euro për ta sjellë 29-vjeçarin në Shën Pjetërburg. Por Iakuinta e kishte vendosur: “Unë nuk lëviz nga Torino”. Tani këmbëngul dhe vendos të synojë sërish te Juventusi dhe Juvja vendos të synojë te Vinçencoja. Kjo do të thotë edhe se merkatoja do të ngadalësohet. Klubi ka shpenzuar gjithsej 27 milionë euro për Diegon dhe para se të bëjë shpenzime të tjera, duhet të shesë. Me rinovimin e Iakuintës del nga merkato. Mbetet vetëm Trezege. Për të interesohet vetëm Marseja e Deshampit. Por ka një problem: rroga e lartë e francezit nga Argjentina. Do të bisedohet dhe për momentin, Lioni, Barcelona e Çelsi duket se po vëzhgojnë.
Ndërkohë në Torino, e kanë kuptuar, se nëse duan të mbyllin çështjen “Pandev”, duhet nxituar. Nëse duan të mundin konkurrencën, duhet të gjejnë çelësin për të bindur Lotiton. Që do të thotë: duhet shitur Trezegeja, të fitohen 7-8 milionë, të shtohen disa milionë të tjera dhe paraqitur Lotitos një ofertë prej 10 milionësh. Nuk është e lehtë. Dhe para së gjithash jo e shpejtë.