31 korrik 2009

Cruz iu nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore te Lazio

Lazio është pranë sigurimit të shërbimeve të sulmuesit argjentinas Julio Cruz, pasi që lojtari ka arritur marrëveshje me skuadrën kryeqytetase.
Sulmuesi veteran është lojtar i lirë, që pas përfundimit të kontratës me Interin në muajin e kaluar, ndërsa për shërbimet e tij janë shprehur të interesuara shumë skuadra italiane, duke përmendur Romën, Napolin, Fiorentinën dhe Lazion. Sipas lalazioinrete dhe tuttomercatoweb, Cruz është duke iu nënshtruar testeve mjekësore në klinikën Paideia, ndërsa nënshkrimi i kontratës do të bëhet së shpejti. Argjentinasi do të nënshkruajë kontratë njëvjeçare me Lazion, me opsionin për ta vazhduar atë, ndërsa në sezonin e parë do të paguhet 1.6 milionë euro.