29 korrik 2009

Eto: Tek Interi për të shkruar historinë

Sulmuesi kamerunas prezantohet në Milano dhe jep konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i zikaltërve

“Jam këtu për të shkruar historinë e këtij klubi”. Me këto fjalë është paraqitur Samuel Eto në konferencën e tij të parë si lojtar i Interit. “Ibra ka puthur fanellën e Barçës? Punë për të, unë dua ta fitoj besimin e tifozerisë, duke fituar”. Kamerunasi ka përgënjeshtruar kritika të supozuara të bëra në të kaluarën kundër Mourinjos, dhe ka zbuluar: “Zërat për një tranferim tek Milani? Unë doja Interin”.

- Samuel, kur Interi blen lojtarë të Barcelonës shpesh shkruan historinë e futbollit. E ndieni këtë përgjegjësi dhe besoni tek “Topi i Artë”?

- Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, do të doja të thoja diçka për ish-shokët e skuadrës. 13 vitet që kam kaluar në Spanjë kanë qenë të mrekullueshëm. I falenderoj të gjithë, kam mbrojtur fanellën e Barçës me nder dhe për këtë ndihem krenar. Besoj se çdokush duhet të shkruajë historinë e tij. Unë me Barcelonën kam fituar pothuajse gjithçka, tani dua të fitoj me Interin. “Topi i Artë”? Eshtë një trofe individual, por nuk mund ta fitoj pa ndihmën e shokëve të mi.

- Kush ka dalë i fituar nga shkëmbimi i juaj me Ibrën? Interi apo Barça?

- Unë jam Samuel Eto dhe nuk dua të krahasohem me asnjeri. Përsa i përket Ibrës, unë i uroj sukses, tek një skuadër që ka qenë shtëpia ime për shumë vite.

- Si ju është dukur pritja që ju kanë bërë?

- Kur vjen në një vend ku nuk ke qenë asnjëherë gjithçka është e re. I falënderoj tifozët për pritjen që më kanë bërë, do të përpiqem t’u jap shumë atyre.

- Kohë më parë keni thënë se nuk ju pëlqente loja e Mourinjos dhe se nuk do të kishit luajtur kurrë me një skuadër të drejtuar nga portugezi. Jeni sqaruar?

- Nuk i kam thënë asnjëherë këto gjëra, mund t’ua provoj këtë. Këto deklarata të supozuara i referohen një ndeshjeje mes Çelsit dhe Barcelonës, që ka qenë shumë e ndezur dhe më vjen keq që fjalët e mia janë keqinterpretuar.

- Futbolli italian po varfërohet, kampionët po largohen. Ndërsa ju keni ardhur në Itali. E ndien këtë si përgjegjësi?

- Sipas mendimit tim në Itali ka akoma shumë kampionë, nuk më duket se kampionati italian ka humbur rëndësinë e tij. Unë jam këtu për të shkruar historinë e Interit dhe vetëm duke e bërë këtë do të mund të pohojmë se Seria A është akoma kampionati më i fortë në botë.

- Kush janë lojtari më i mirë, sulmuesi më i mirë dhe mbrojtësi më i mirë i Serisë A?

- Jam mik i Viktor Valdesit, por për shembull mund të them se portieri jonë, Hulio Sezar, është më i miri, është një fenomen. Gjithsesi, është e vështirë t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje. Mund të përmendja shumë kolegë të tjerë.

- Karriera juaj është zhvilluar gjithmonë në Spanjë. A e ke menduar këtë? Dhe a ke menduar për problemin e racizimit, që ka prekur Balotelin?

- Eshtë e vërtetë se gjatë gjithë karrierës sime kam luajtur në Spanjë, por kam shumë eksperiencë ndërkombëtare. Jam larguar nga Kameruni si një qytetar i botës dhe do të doja të isha i lumtur kudo që ndodhem. E di se problemi i racizmit ekziston, por nuk dua të mendoj për këtë në këtë moment. Jam krenar se jam njeri me ngjyrë, ndoshta nëse nuk do të kisha qenë i tillë, nuk do të isha lojtari që jam.

- Ibra ka puthur fanellën e Barcelonës, pse ju nuk e keni puthur atë të Interit?

- Ka vetëm një arsye pse nuk e kam bërë këtë: duhet të fitoj besimin e tifozëve, duke fituar në fushë. Vetëm në këtë mënyrë do të lindë natyrshëm marrëdhënia me tifozët. Nëse Ibra e ka puthur fanellën kjo është punë për të.

- Deri tani keni fituar dy Champions Liga me Barçën, sa ndryshe do të ishte ta fitonit me Interin, që nuk e fiton prej shumë kohësh?

- Ndoshta të fitosh një Champions me Interin do të ishte siç ka qenë kur e kemi fituar për herën e parë me Barcelonën. Edhe katalanasit kishin kohë që nuk e fitonin. Interi, më kanë thënë, se nuk e fiton prej akoma më shumë kohësh. Do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë mbanë.

- Çfarë dysheje sulmi do të jetë Eto-Milito?

- Nuk e dija se formacioni ishte përcaktuar tashmë. Sipas mendimit tim Milito është një lojtar shumë i mirë, por nuk e di nëse do të luajmë unë dhe ai. Jemi një grup dhe nuk mund të flas vetëm për dy vetë.

- A ka ekzistuar ndonjëherë mundësia që ju të shkonit tek Milani? Po për Ronaldinjon mendon se do të kthehet ai i kohërave të arta?

- Unë shpresoj që Ronaldinjo të rekuperojë dhe të përmirësojë lojën që ka treguar tek Barcelona. Përsa i takon transferimeve të mia hipotetike, ka patur mundësi italiane dhe joitaliane. Por unë kam ardhur aty ku kam dashur.

- Çfarë mendoni për derbin dhe Milanin?

- Nuk mendoj për Milanin, shqetësohem për skuadrën time. Sigurisht një ndeshje si derbi të motivon më shumë, por nuk janë këto ndeshjet që të bëjnë të fitosh kampionatin.