31 korrik 2009

INTERVISTA - Diego: Ky Juventus mund të fitojë gjithçka

Fantazisti brazilian ka shumë besim se bardhezinjtë do të jenë protagonistë në sezonin e ardhshëm

Për të, Juventusi pas shumë vitesh, ka vendosur të ndryshojë modulin e lojës dhe është lojtari që pritet t’i ndihmojë bardhezinjtë që të kthehen tek fitoret e mëdha si në kampionat ashtu edhe në Europë. Bëhet fjalë për fantazistin brazilian Diego.

- Diego, e dini që se prej kohës së Zidanes tek Juventusi nuk shënohej një gol si ai që keni realizuar të martën?

- Golin tim të parë këtu e ëndërroja të veçantë, pikërisht siç ka qenë. Shpresoj të jetë i pari nga shumë, por për momentin po shijoj gëzimin për paraqitjen time të parë me Juven. Ka qenë gjithçka perfekte: nuk luaja prej dy muajsh, kemi fituar dhe kam shënuar. Nuk mund të fillonte më mirë se kaq.

- Po kur të luajë Del Piero kush do t’i ekzekutojë goditjet e dënimit?

- Nuk kam ardhur tek Juventusi për të bërë garë me Del Pieron, që është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe meriton respekt, veçanërisht tek kjo skuadër. Unë jam këtu për të bërë detyrën time, për të gjetur hapësirën time në ekip dhe për të fituar.

- Me Iakuintën duket sikur luani bashkë prej shumë kohësh. Po me sulmuesit e tjerë?

- Janë katër lojtarë të nivelit të lartë. Duhet t’i njoh, të studioj lëvizjet që bëjnë. Me futbollistë të tillë do të jetë gjithçka shumë e lehtë.

- Me dy brazilianë të tjerë në skuadër do të jetë më e lehtë?

- Ai i joni është një stil loje i rëndësishëm, por akoma më e rëndësishme do të jetë ta përshtasim me stilin italian. Nuk jemi këtu për të luajtur në mënyrën braziliane, por në mënyrën e Juventusit.

- Do të jetë dhe viti i Botërorit: ju do të merrni pjesë?

- Ky është objektivi im i madh, një ëndërr, duke parë se nuk kam marrë asnjë herë pjesë në këtë eveniment. Por gjithçka do të varet nga ajo që do të arrij të bëj këtu. Ndaj tani jam 100% i përqendruar me Juventusin, nëse do të bëjmë mirë dhe do të fitojmë do të kem një mundësi më shumë për të shkuar në Afrikën e Jugut.

- Dhe nëse shkoni atje besoni se Amauri do të jetë një kundërshtar i juaji?

- Nuk e di, por e di se nëse do ta kem kundërshtar ky do të jetë një problem i madh për ne, sepse sot është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Ai e di se çfarë është më e mirë për veten e tij, unë shpresoj që të luajë me ne.

- Objektivi juaj ishte të shkonit tek një nga skuadrat më të mira të Europës. Skuadra e Juventusit është e tillë?

- Sigurisht, është një nga më të mirat në botë, që mund të luajë pa problem kundër çdo skuadre tjetër dhe të fitojë të gjitha kompeticionet e mundshme.

- Edhe Championsin?

- Po, një skuadër si kjo e Juventusit është e pamundur t’i vërë limite vetes. Me lojtarët që ka dhe për atë që është investuar këtë vit duhet të fitojë. Dhe është pikërisht ky mentaliteti që kam gjetur tek shokët e mi të ekipit. E dimë se Championsi është një objektiv i vështirë për t’u arritur, por jemi të bindur se mund ta fitojmë.

- Sot keni një test të vështirë për ambiciet tuaja.

- Juventus-Real Madrid është gjithmonë një ndeshje e veçantë. Edhe pse jemi në fazën përgatitore mund të dhurojmë spektakël. Gjithsesi, ne do të luajmë për të fituar këtë ndeshje, turneun dhe gjithçka që do të vijë më pas.