30 korrik 2009

Juventus i fortë

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon synon të përfundojë karrierën e tij në Torino dhe beson se ekipi aktual mund të fitojë gjithçka. Sezonin e kaluar, reprezentuesi italian ishte i zemëruar me rezultatet e ekipit dhe mënyrën si nuk arriti të ndjekë Interin në garë për titullin e kampionit në Serie A.

Kjo zgjoi dyshime rreth të ardhmes së tij në klub. Buffon bëri thirrje që Juventus të investojë në ekip dhe drejtuesit janë përgjigjur duke shpenzuar mbi 50 milionë euro në mesfushorët Diego dhe Felipe Melo.

“Dua të mbetem në Juventus. Nuk kam dëshirë të largohem. Do të mbetem këtu edhe në të ardhmen”, tha Buffon pas spekulimeve të reja rreth interesimit të klubeve nga Premierliga.

“Jam futbollist me fat që barti këtë fanellë e cila gjithmonë më mbush me krenari. Në të kaluarën e pranoj se me dëshirë do të kisha kaluar një përvojë të huaj. Tani jam bërë baba dhe dua t’u dhuroj fëmijëve të mi një pikë referimi. Dua të fitoj me këtë fanellë”, shtoi Buffon.

Aktualisht në Spanjë, i angazhuar në turneun Peace Cup, Buffon ka thënë se ka dëshirë të luajë kundër ekipit të përforcuar të Real Madridit në gjysmëfinale.

“Më pëlqen ky Peace Cup dhe do të dëshiroja të përballeshim me Real Madridin. Do të ishte interesant të luajmë kundër tyre. Këtë vit Juventus do të jetë më i fortë për dallim nga vitet e kaluara. Jemi përmirësuar shumë, por nuk dua të bëj parashikime të hershme”, u shpreh ai.

Në fund, Buffon komentoi edhe shkëmbimin mes Zlatan Ibrahimoviçit dhe Samuel Eto’os. Ylli suedez iu bashkua Barcelonës nga Inter, ndërsa Nerazzurrët në kompensim morën sulmuesin kamerunas dhe 45 milionë euro.

“Nuk duhet harruar se Inter është prapë i fortë. Ata kanë shitur Ibrahimoviçin, por kanë sjell Eto’on, një futbollist i cili ka shënuar shumë gola në karrierën e tij. Mendoj se ishte shkëmbim i barabartë. Eto’o mes tjerash ka shënuar në dy finale të Ligës së Kampionëve dhe është kampion i madh. Inter nuk është dobësuar”, përfundoi Buffon.