29 korrik 2009

Mourinjo premton Mançesterin në të ardhmen

Trajneri i Interit nuk e fsheh dëshirën të rikthehet në Angli për të drejtuar
Hoze Mourinjo ka përsëritur edhe një herë qëllimin për të marrë vendin e Aleks Fergusonit në stolin e Mançester Junajtid kur trajneri skocez do të vendosë të mbyllë karrierën e tij. Ai ka konfirmuar: “Idea është të drejtoj Mançesterin nëse drejtuesit e klubit do ta konsideronin këtë hipotezë të realizueshme. E adhuroj Anglinë, tifozët janë shumë të dashur dhe në çdo ndeshje krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme”. Portugezi i ka lëshuar edhe një thumbim dashurisë së tij të parë në Angli, Çelsit: “Para se të vendosnim për ta ndërprerë marrëdhënien me Çelsin, janë zhvilluar shumë takime,- ka kujtuar Mou -, por diskutimi kishte marrë një drejtim të caktuar dhe në fund ka qenë më mirë për të gjithë. Që nga momenti kur jam larguar, kam vazhduar të fitoj, ndërsa ata nuk kanë fituar më asgjë”. Ndërkohë, në lidhje me Champions Ligën, trajneri i Interit ka thënë gjëra që bien në kundërshtim me ato që ka deklaruar kohët e fundit në shtypin italian: “Kur kam filluar të punoja me Çelsin, - ka bërë të ditur portugezi -, aty ekzistonte fiksimi për të fituar kampionatin, që mungonte prej një gjysmë shekulli. Fitoria e Serisë A është e rëndësishme, por ne kemi gjëra të tjera në mendje”. E përkthyer, Champions. Fjalë të rëndësishme, në pritje të përgënjeshtrimit të pashmangshëm.