31 gusht 2009

Berluskoni: Milan ringrihu, mos u dorëzo!

Presidenti kuqezi i jep kurajë skuadrës pas humbjes në derbi. Nuk është i inatosur, sepse skuadra ka rrugë të gjatë
Një qëndrim, si në kohët e arta. “Kemi ardhur deri këtu për të parë si shënon Kakà!”. Vetëm se kori vjen nga pjesa tjetër e gabuar, është irrituese, vazhdimisht shqetësuese dhe vazhdon gjatë edhe pas fundit të ndeshjes. Janë tifozët e Interit, që ftojnë heroin e munguar, njeriun e shitur për motive bilanci, ai që me siguri duhet të ketë vuajtur në Madrid, duke pyetur për rezultatin miqtë e tij përmes sms-ve. Është Kakàja i shitur simboli i mbrëmjes së trishtë për kuqezinjtë. Kur Rikardoja la fushën në Madrid, i zëvendësuar nga Pelegirini në fillim të pjesës së dytë, Milani po ushtronte akoma trysni ndaj Interit. Rezistenca zgjati pak. Stadium paqësor, tribuna që mbanin parrulla “të ëmbla” pas shumë protestave ndaj pronarit Silvio Berluskoni dhe krahut të tij të djathtë Adriano Galiani.
“Kemi besim te presidenti ynë. Dashuria s’është e bukur nëse nuk ka grindje: përpara Silvio”. Për momentin ka ecur para Interi, që i shënoi “kushërinjve” katër gola. Dhe Berluskoni qëndroi në heshtje në tribunë në krah të Adriano Galianit dhe miqve të zakonshëm. Erdhi në stadium pak përpara se zakonisht, shkoi në dhomat e zhveshjes, përshëndeti skuadrën. Doli i fundit së bashku me Ronaldinjon, heroin e tij, të parapëlqyerin për të zëvendësuar Rikin. Por nuk ishte mbrëmja për të kurorëzuar heronj të rinj. Jo në fushën kuqezi gjithsesi.
ROLE - “Milan i madh, Ronaldinjo i madh”, - tha Berluskoni, pak para se të zinte vend në tribunë. U kishte thënë gjithçka duhej futbollistëve të tij dhe shtypit, që e pyetën për të shpjeguar rolin e tij taktik. Sepse, në pjesën më të madhe të javës që shkoi për këtë u fol: mbi këshillat e jo-presidentit ndaj trajnerit. “Unë do të vendosja Sedorfin me Ronaldinjon si sulmues të dytë dhe Paton sulmues të parë”, - kishte deklaruar Berluskoni. Në stol, i rilinduri Borrielo, blerja e re Huntelar, specialisti në kësi rastesh të vështira Inzagi? Në stol, të gjithë. Por Leonardo pati dhënë shpjegimin e tij: “Presidenti ka mendimin e tij, na qëndron shumë afër, ia kërkova unë këshillën. Të shohim”. Dhe të shtunën Berluskoni, në kuadër të kësaj teme, nënvizoi: “Nuk jam unë trajneri i Milanit. Unë thashë vetëm atë që do të kisha bërë vetë, por trajneri ka rolin e tij. A jam i zemëruar që Leonardo nuk e ndoqi këshillën time? Nuk jam absolutisht i inatosur”.
NORMALITET - Edhe Adriano Galiani ka hedhur “ujë mbi zjarr”. “Presidenti jep këshilla, por te Milani trajneri ka qenë gjithnjë i pavarur dhe bën zgjedhjet e tij në liri të plotë, - tha numri dy i kuqezinjve. - Te Milani nuk ndodh asgjë ndryshe nga ajo që ndodh në klube të tjera të Serisë A”. Në fund të ndeshjes, Berluskoni qëndroi gjatë me skuadrën në dhomat e zhveshjes: “U thashë djemve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë të punojnë, - rrëfen Berluskoni për takimin special. - Rruga është akoma e gjatë. Çdo ndeshje ka historinë e vet. Pësuam katër gola, por nuk jam i shqetësuar. I porosita djemtë të rifillojnë të fitojnë që në javën që vjen”. Në fund, pas përgëzimeve për Interin, Berluskoni zbuloi se takoi Mourinjon, sepse “kisha dëshirë ta njihja. Në derbet e tjera nuk kemi arritur të përshëndetemi”. Për Sedorfin që qëndroi në stol, jo i gatshëm për zëvendësimin me Gatuzon, Berluskoni shmangu çdo koment.