31 gusht 2009

Leonardo: Dalja e Gatuzos ndryshoi ndeshjen

Leonardo nuk justifikohet pas humbjes në derbi dhe pranon i qetë se “kam gabuar unë me Gatuzon”, por i fton të gjithë të mos e dramatizojnë situatën, “sepse nuk ishim fenomenë pas Sienës dhe nuk jemi për t’u hedhur tutje as sot”. Trajneri kuqezi shpjegon: “Rino duhej të dilte, por Sedorfi nuk ishte akoma gati. Gatuzo bëri një faull të kotë, por për shkak të vështirësisë në ndjekje të kundërshtarit. Ai episod, nga goli i Motës te kartoni i kuq, ndryshoi ndeshjen. Deri në golin e parë të Interit, skuadra luajti mirë, - vazhdon trajneri brazilian. - Ishte një ndeshje e barabartë, e fortë dhe e organizuar. Para golit të tyre të parë ishim mirë, pastaj u lodhëm për të drejtuar një moment të vështirë dhe këtu duhet të përmirësohemi. Ishte e rëndësishme ta bënim në ato momente. Por duke u kthyer te mungesa e gatishmërisë së Sedorfit, ju tregoj se Klarensi e kishte këmbën të fashuar, ndaj u vonua të hyjë në fushë, duke humbur kohë në zëvendësim”.
Nga Gatuzo te Ronaldinjo, sepse Gauço, i shkëlqyer në Sienë, në derbi dështoi: “Nuk luajti mirë, luajti kundër një skuadre me mbrojtës të shkëlqyer nga ana fizike dhe duhet më shumë lëvizje, por nuk dua të bëj gjykime vetëm për të. Skuadra përjetoi një moment të vështirë në momentin e golit, ndaj duhet të jemi të zotë t’i lexojmë mirë ndeshjet. Nuk mund ta gjykojmë skuadrën për dy ndeshje”.