31 gusht 2009

Sot mbyllet merkato, ja lëvizjet e mundshme

Në orën 19:00 të ditës së hënë mbyllet përfundimisht merkatoja verore për këtë sezon. Ende enigma të pasgjidhura.Tratativat mes Juventusit dhe Lionit për mbrojtësin Fabio Groso kanë pak gjasa të mbyllen me sukses. Oferta e Juves konsiderohet tepër e ulët nga klubi francez, i cili ka në dorë vendimin përfundimtar për Groson, megjithë dëshirën e këtij të fundit për të kaluar në Itali.
Më shumë mundësi ka të realizohet me sukses operacioni që do të çonte Mansinin tek ish-skuadra e tij, Roma. Vetë lojtari ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer.
Sulmuesi i Lacios, Goran Pandev duket se është drejt largimit nga ekipi kryeqytetas, pas problemeve të shfaqura prej kohësh. Sipas mediave italiane, është i mundshëm një transferim tek kampionët e Italisë, Interi, në formë shkëmbimi me Suazon, Arnautoviç apo Kuarezma, plus një shumë të hollash. Por në lojë ka hyrë edhe Fiorentina, që i duhet të bëjë llogaritë në rast të një skualifikimi të mundshëm të Adrian Mutu.