30 gusht 2009

Toni kundër Amaurit

Sulmuesin e Bayern Munichut, Luca Toni e pret një përballje e dyfishtë me yllin e Juventusit, Amauri në Ligën e Kampionëve, por edhe në Kombëtaren e Italisë për Kampionatin botëror 2010.

Jo vetëm se ekipi i tij do të takohet me Juventusin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, por Amauri është pajisur me pasaportë italiane dhe do të jetë konkurrent i tij për një vend në Kombëtaren e Italisë.

“Dokumentet kanë mbërritur të martën dhe gjithçka është kompletuar. Krejt çka ka mbetur është për mua të shkoj dhe të marr pasaportën. Do të jem krenar nëse Lippi më fton dhe mezi pres derisa të ndodhë kjo”, ka thënë Amauri.

Ndërsa Toni ka mirëpritur konkurrencën nga Amauri, por ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet pa luftë.

“Para se të jem futbollist i Italisë, jam një tifoz. Kjo nënkupton se dua që futbollistët më të mirë të përfaqësojnë shtetin. Në këtë moment, Amauri është më i fuqishëm se unë. Por, gjërat do të ndryshojnë dhe gjithçka mund të ndodhë në vazhdim. Dua të luaj dhe të shfrytëzoj rastet e mia për ta rikthyer fanellën e Azzurrëve”, tha Toni për të përditshmen sportive italiane, Tuttosport.

Toni ka humbur vendin në formacionin bazë të Bayern Munichut, ndërsa ekipi ka vështirësi në fillimin e sezonit në Bundesligë. Ata po ashtu kanë grup të vështirë në Ligën e Kampionëve me Juventusin, Bordeaux dhe Maccabi Haifa.

“Unë jam i lumtur që do të takohem me shokët e mi të vjetër, por do të kisha preferuar kundërshtar më të lehtë. Në karrierën time kam shënuar disa herë kundër Buffonit, atij ende i kujtohet kur kam realizuar dy herë për Vicenzan, kur ai ishte në Parma. Megjithatë, kur jeni përballë një portieri të tillë, porta ju duket më e vogël”, theksoi ai.

Bayern ishte bartës i grupit në short, por Toni mendon se Juventus do të jetë i pari. “Juventus është favorit absolut. Ne kemi ekip të fortë, por kemi bërë fillim të keq në Bundesligë. Gjërat nuk janë në rregull këtu për momentin”, përfundoi ai. Pas transferimit të Mario Gomezit nga Stuttgarti, Toni ka mbetur rezervist, pasi trajneri i ri, Louis van Gaal preferon çiftin sulmues Gomez-Klose.