30 tetor 2009

Bozhinov: Golin ia dedikoj Leçes

Sulmuesi bullgar ka qenë protagonist i një paraqitjeje shumë të mirë të mërkurën në mbrëmje. Me golat e tij po udhëheq skuadrën e Parmës në zonën e Champions Ligës, dhe po rigjen formën e tij më të mirë pas dy viteve të fundit, që janë karakterizuar nga shumë dëmtime. Bëhet fjalë për lojtarin bullgar të Parmës, Valeri Bozhinov që dje, pas fitores kundër Barit, ka gjetur edhe mënyrën për të përshëndetur ish-tifozët e tij: “Golin që kam shënuar kundër Barit ia dedikoj edhe tifozëve të Leçes.
Për mua ka qenë si një ndeshje derbi, nuk mund t’i harroj kurrë momentet e bukura që kam përjetuar me fanellën verdhekuqe”. Goli i bukur i shënuar të mërkurën ka patur disa precedentë: “Të martën kam provuar një gjuajtje të ngjashme në stërvitje. Fatmirësisht gjithçka ka shkuar mirë”, ka përfunduar sulmuesi verdheblu.