31 tetor 2009

Ronaldo e ëndërron Botërorin

Cristiano Ronaldo ka përmendur titullin e kampionit të botës si ëndërr, por e pranon se ekipi portugez, nuk ka kualitete të mjaftueshme, për të fituar çmimin kryesor në futboll. “Është ëndërr. Ndjenja më e mirë për një futbollist është të bëhet kampion i botës.
Portugalia ka ekip të mirë, por jo ekip fantastik. Ju mund të fitoni titullin me një paraqitje fantastike”, tha Ronaldo, për të përditshmen sportive gjermane “Bild”.
Portugalia përfundoi e dyta në grupin e tyre kualifikues dhe do të sigurojë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2010 në Afrikën e Jugut, nëse e mposht Bosnje-Hercegovinën në play-off, muajin e ardhshëm.
Portugalia përfundoi e katërta në Kampionatin Botëror 2006. Futbollisti më i mirë në botë nga viti 2008, po ashtu theksoi se nuk ndjen presion shtesë për shkak të transferimit rekord për rreth 94 milionë euro në Real Madrid.
Në mungesë të tij, Real ka pësuar humbje të njëpasnjëshme, por Ronaldo është optimist se ekipi do t’u kthehet rezultateve pozitive. “Realit i duhen disa ndeshje të mira dhe fitore me futbollistët, të cilët janë tani në klub”, u shpreh ai.