30 nëntor 2009

Ferrara mbyll çështjen “Diego”: U sqaruam!

Trajneri bardhezi i ka kërkuar skuadrës të harrojë humbjen e së mërkurës së kaluar në Champions me Bordonë

Në prag të ndeshjes me Kaljarin, Ferrara i ka kërkuar skuadrës së tij të reagojë pas takimit me Bordonë: “Nuk do të ndikohemi nga ajo humbje dhe më pas, në proçesin e rritjes së ekipit, janë të pranueshme edhe disa ndalesa, - ka thënë tekniku bardhezi. - Kualifikimi në Champions është në dorën tonë dhe në kampionat nuk më duket se po paraqitemi keq. Nuk jemi aq keq sa duket. Diego? Ka ardhur tek unë për të sqaruar mendimin e tij. Kam folur me të dhe jam i qetë”. Gjithashtu, Ferrara ka refuzuar kritikat: “Ndodhem në drejtim të Juventusit prej 20 ndeshjesh. Në kampionat po paraqitemi keq? Nuk besoj, - ka vazhduar trajneri, - sepse Championsi është një kompeticion i fortë dhe më duket se Juventusi ndodhet në të njëjtin pozicion si shumë ekipe të tjerë. Mund të kishim bërë diçka më shumë në Bordo, përsa i përket rezultatit dhe lojës, por përsa i takon pjesës tjetër nuk besoj se kemi qenë katastrofë”. Trajneri i Juventusit, më pas, ka mbështetur deklaratat e Bufonit, që ka mbrojtur grupin dhe në veçanti treshen braziliane Amauri, Diego dhe Melo. “Fjalët e Xhixhit më kanë pëlqyer shumë. Mendoj se momenti që po kalojmë dhe humbja nuk mund t’u ngarkohet tre lojtarëve. Tani duhet të përqendrohemi tek Kaljari. Ata janë një skuadër shumë e shpejtë dhe e mirëorganizuar. Kanë lojtarë që në kundërsulm mund të të ndëshkojnë në çdo moment. Kanë cilësi dhe këtë e kanë treguar edhe kundër Milanit fundjavën e kaluar”. Në fund, ka ardhur një koment për koret e tifozëve të Juventusit kundër sulmuesit të Interit, Mario Baloteli: “Juventusi ka bërë gjithçka ishte e mundur për t’i ndaluar këto kore dhe këtë e ka konfirmuar edhe vendimi i marrë nga gjykatësi sportiv, - ka përfunduar Ferrara. - Jam kundër të gjitha formave të racizmit, të diskriminimit dhe ofendimit, ndaj kujtdo”.