30 nëntor 2009

Rafa Benitezi shpreson te kthesa e sezonit

Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, beson se fitorja 2‑0 kundër Evertonit në derbin e Liverpulit mund të jetë pika e kthesës në sezonin e të kuqve. Një autogol në minutën e 12-të nga Xhozef Jobo dhe goli i Dirk Kajtit dhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes siguruan tri pikët e çmuara për skuadrën e Benitezit. Duke marrë në konsideratë sezonin e keq të Liverpulit deri më sot, i theksuar edhe nga eliminimi i kësaj skuadre në Ligën e Kampionëve, Benitezi pas ndeshjes ka theksuar pozitivitetin e kësaj ndeshjeje. “Unë mendoj se ishte një fitore e rëndësishme për ne. Ne fituam kundër Debrecenit në mesjavë dhe e dinim se duhet të vazhdonim të fitonim.
Një derbi është përherë i vështirë dhe shumë i rëndësishëm, prandaj kjo fitore mund të jetë pikë kthese për sezonin tonë. Jemi ngjitur në tabelë tani dhe jemi të gjithë të gëzuar, por do të shohim a do ta mbajmë ritmin.” Derbi i Liverpulit është përherë i ashpër, por në fakt Liverpuli në këtë ndeshje ishte në pozicion mbrojtës për shkak të lojës së fortë të Evertonit.
Benitezi e pranoi më pas se skuadra e tij e përballoi ndeshjen me vështirësi, sidomos pas golit të parë. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë që në fillim. Ata luajtën një ndeshje të drejtpërdrejtë dhe me goditje standarde. Ishte e vështirë, sepse ata e kontrolluan lojën me qarkullimin e mirë të topit. Luajtën më mirë se ne, por ne treguam karakter përqendrim dhe fituam duke e mbyllur lojën në epërsi”, ka thënë Benitez, që ka ngritur lart dhe portierin Reina, që priti dy gjuajtje në minutën e 70-të. “Pepe Reina bëri pritje vendimtare. Ai tregoi se është një portier i madh. Të presësh aq shumë gjuajtje, goditje të lira dhe gjuajtje me kokë në 90 minuta kundër një skuadre që është e fortë në ajër si Evertoni, nuk është e lehtë. Ai e ndihmoi shumë skaudrën dhe bëri një ndeshje fantastike.”