30 nëntor 2009

Shpresojnë në Hagë

Përpos udhëheqësve politikë, edhe drejtuesit e sportit kosovar janë përqendruar në Hagë, ku të martën nis procesi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Udhëheqësit e federatave besojnë se do t’iu shkurtohet dukshëm rruga drejt ndërkombëtarizimit, në qoftë se vendimi i GJND-së do të jetë në favor të Kosovës.

Të martën në Hagë do të nisë procesi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Përpos institucioneve më të larta shtetërore dhe në përgjithësi qytetarëve të Kosovës, kah kjo ngjarje janë përqendruar edhe udhëheqësit e sportit kosovar.

Drejtuesit e federatave shpresojnë se në fund të këtij procesi, GJND-ja ta shpallë legjitime shtetësinë e Kosovës. Ata besojnë se pas kësaj do të shkurtohej dukshëm rruga drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

Sipas tyre, nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpall të ligjshme shpalljen e pavarësisë, atëherë numri i njohjeve ndërkombëtare për Kosovën do të rritet shumë shpejt.

Ata besojnë se menjëherë pas kësaj, edhe federatat sportive kosovare do ta kenë dukshëm më të lehtë inkuadrimin në federatat përkatëse ndërkombëtare.

“Nëse GJND-ja e shpall legjitime shtetësinë e Kosovës, pa dyshim se ai vendim do të ndikonte pozitivisht edhe në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. Fillimisht, Kosova shpejt do të përfitojë njohje të reja ndërkombëtare, dhe me këtë rast do të lehtësohet puna edhe rreth ndërkombëtarizimit të sportit”, deklaroi për Express, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani.

“Nëse vendimi i GJND-së është i favorshëm për Kosovën, atëherë pasi të aplikojnë federatat tona për ndërkombëtarizim, vështirë se do të refuzohen”, theksoi ai.

Ndërsa, edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është duke bërë përpjekje të mëdha për të hyrë në FIFA e UEFA. Që të dyja këto asociacione, sipas sekretarit të FFK-së, Eroll Salihu, tashmë janë në pritje të vendimit të GJND-së.

“Vendimi i GJND-së me interes është duke u pritur edhe nga organet e FIFA-s dhe UEFA-s. Kjo çështje ka efekte edhe në sportin kosovar, sepse dihet se sporti ka mbetur peng i njohjeve ndërkombëtare. Nëse vendimi në GJND merret në favorin tonë, atëherë Kosova do të përfitojë njohje të reja. Pas kësaj, menjëherë edhe sportit tonë i hapen rrugët drejt ndërkombëtarizimit”, tha Salihu

Por, jo të gjithë udhëheqësit e federatave sportive kosovare mendojnë njëjtë si Besim Hasani dhe Eroll Salihu.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu thotë se pa lobuar institucionet më të larta shtetërore, nuk do të mund të ndërkombëtarizohet sporti kosovar, pavarësisht vendimit të GJND-së.

“Institucionet deri më tani kanë qenë indiferente karshi sportit. Në shumicën e federatave ndërkombëtare, në krye të tyre janë njerëz të shteteve të fuqishme që veç e kanë njohur Kosovën shtet. Andaj, presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm, etj, duhet që të lobojnë tek ato shtete, të cilat veç i kanë të akredituar ambasadorët e tyre në Kosovë”, theksoi Belegu.

“Vendimi përfundimtar i GJND-së, i cili me gjasë do të merret në muajin qershor të vitit të ardhshëm, nuk do t’i zgjidhë problemet tona, nëse nuk angazhohen politikanët tanë”, përfundoi ai.

Deri më tani, shumë federata kosovare kanë aplikuar për anëtarësim në federatat përkatëse ndërkombëtare. Por, këto të fundit i kanë refuzuar kërkesat e kosovarëve, me arsyetime të ndryshme, si: Kosova nuk është pjesë e OKB-së, Kosova nuk ka njohje të mjaftueshme të shteteve ndërkombëtare, KOK-u nuk është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, etj.

Mbi tridhjetë shtete do të paraqesin argumente rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, në seancën publike dëgjimore në GJND, që fillon të martën dhe zgjat deri më 11 dhjetor. Kurse vendimi përfundimtar pritet të merret në muajin qershor të vitit 2010.