30 nëntor 2009

Të gjthë ia fusin njëri-tjetrit, federata ua fut të gjthëve

Kronika e 48‑të tregon se si i çmenduri ynë, “Tersi i Pojanit”, vazhdon të shtiret dhe beson se është Shijtan Kukulla, shef i shtypit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke qenë i gjatë dhe imcak, ai vazhdonte të mbushte zonën e barkut dhe shpatullave me rrecka e lloj‑lloj plehrash, për t’u dukur i shëndetshëm dhe i vetëkënaqur, siç duhet të jenë, sipas përfytyrimit të tij, zyrtarët që u shkojnë fjollë punët e futbollit. Pretendonte se në federatë ish bërë një studim i thelluar shkencor mbi prirjen e trashëguar gjenetike të arbitrave shqiptarë për të marrë para. Eshtë e panevojshme të sqarojmë lexuesit se vepra e tij shkencore, që ai pretendon, është bërë nga një grup pune në federatë. Kjo nuk është tjetër, veçse fantazia e tij dhe e pacientëve të pavionit nr.5, që ai e pandeh si një suitë hoteli “VIP”-ash me pesë yje, parandaj po japim vetëm një pjesë të vogël të përçartjeve të tij mbi reagimet e federatës ndaj ngarjeve të fundit:
“Unë, Shijtan Kukulla, jam sot para jush për të mbështetur me një analizë të thellë e shkencore deklarimet e qëndrimet e bosëve të futbollit mbi “gabimet njerëzore” të arbitrit Hoxha dhe të arbitrave të tjerë shqiptarë, si dhe deklarime të tjera që do t’i shtjelloj më tej. Kur “Bosi i Madh” i futbollit deklaroi se nuk besonte që Hoxha dhe arbitrat e tjerë marrin lekë, kjo m’u duk edhe mua tërësisht e vërtetë. Ata nuk marrin lekë, por marrin euro. Këtë e kanë vendosur që kur një arbitër u vu në pozitë të vështirë se, pas ndeshjes, i sollën një thes me nja 2 milionë lekë në kartmonedha të vogla, të nxjerra nga shitja e biletave. Mirë që s’i numëronte dot, por si ta fuste gjithë atë thes me para në bagazhin e benzit, pa u diktuar. Këtë arbitrat e quajtën një tallje të rëndë për mundin e djersën e tyre dhe vendosën qysh atë ditë të mos pranojnë lekë shqiptare, por vetëm kartmonedha euro, që numërohen me sy dhe futen lehtësisht në xhep. Kështu gabimet janë njerëzore, sepse kafshët nuk e njohin euron dhe s’kanë si të gabojnë. Studimet tona shkencore tregojnë se ky proces e dallon dukshëm njeriun nga kafsha dhe e ka zanafillën në Shqipëri, që në origjinën e hershme të njerëzimit dhe të lojës “futboll gola”. Më vonë inglezët na e vodhën neve këtë shpikje, duke modifikuar emrin. Studimi ynë është vazhdim i veprës së Engëlsit, “Roli i punës në transformimin e majmunit në njeri”, ku ai shtjellon teorinë e Darvinit se si majmuni e perfeksionoi dorën nëpërmejt dorës dhe arriti të evoluojë në njeri. Por Engëlsi ose ishte ca i trashë, ose nuk pati kohë dhe nuk arriti të shpjegojë se ku dallohej shkathtësia e dorës së majmunit. Kjo ndodhi pikërisht në Shqipëri, kur majmuni i parë arb(ëresh)bitër, ose alb(an)bitër mori paranë e parë. Paraja të bën insan (njeri), paraja të bën noksan (të mangut), thotë turku. Kur majmunët pellazgjikë punonin aq shumë, saqë kishin frikë se mos ktheheshin prapë në majmunë, për t’u zbavitur shpikën lojën e topit me këmbë, se me dorë ishin të gjithë mjeshtra. Në atë lojë rregulli i parë dhe më i lashtë ishte pikërisht të mos e prekje topin me dorë, por majmunët trima, heroikë dhe futbolldashës pellazgjikë ishin të veçantë dhe, duke kërkuar të fitonin me çdo kusht, i binin edhe me dorë topit, teksa kujtonin se nuk shiheshin. Plaste poterja, tifozët qëllonin me gurë e me arra, madje duke sokëllitur zbrisnin nga pemët e larta në fushë dhe menduan të vënë një arb‑bitër dhe t’i bindeshin të gjithë. Deri atëherë majmunët, që nuk kishin kuptuar se ishin njerëz, shkëmbenin produktet e tyre në natyrë; banane, domate dhe lloj‑lloj perimesh të tjera, kështu që ndeshja nuk mund të trukohej, se arbitri a lojtarët e blerë nuk kishin si t’i transportonin fshehtas dhjetëra qillo banane a kastraveca. Dhe këtu një pellazg u tregua më i mençur se të tjerët dhe i dha një arbitri disa guacka deti, që sipas madhësisë së tyre mund t’i këmbente me një sasi të caktuar frutash e zarzavatesh. Lejoi një gol me dorë dhe, kur iu sulën majmunët me tërsëllimë, ai i hutuar u tha: Nuk e pashë, ishte gabim njerëzor…! Atëherë u kujtuan majmunët që kishin qindra vjet që ishin bërë njerëz, por nuk e dinin. Pasi ulëritën e brohoritën, u ulën dhe filluan ta pleqërojnë punën se si, me anën e parave, do të kishin mundësi të krijonin federata, shoqata gjyqtarësh e bastesh. Kështu është puna e “gabimeve njerëzore” të arbitrave, ves që ka lindur bashkë me njeriun dhe që FSHF-ja nuk mund ta zhdukë, por vetëm ta maskojë, kamuflojë me një nivel të lartë shkencor. Por belaja nuk është se “arbitrat e vjetër janë të aftë, por të korruptuar, ndërsa të rinjtë janë të ndershëm, por të paaftë”. Jo, e vërteta është se arbitrat e rinj, sikundër ai Edvin Hoxha, që gabon nja tri-katër herë në favor vetëm të një skuadre, janë po aq të aftë për të marrë para, por të paaftë për të kamufluar gabimet e tyre njerëzore. Ka lezet me arbitart e vjetër, se edhe kur bien në sy, të kërkojnë falje, se njerëz janë dhe gabojnë; kurse të rinjtë i bëjnë në mënyrë trashanike dhe nuk dinë të thonë as më fal. Por dalin dhe ca analistë e thonë se nuk ka faj arbitri, se Dinamo do ta fitonte ndeshjen. Përsa u takon akuzave e kundërakuzave për trukim ndeshjesh, edhe kjo nuk është gjë e re. Gjithmonë presidentët e futbollit kanë akuzuar e fajësuar “sistemin” e arbitrat dhe ne kemi bërë sikur kemi hetuar, se nuk është faji ynë. I nisëm ata hetuesit “misteriozë” të FSHF-së në fund të kampionait të kaluar në Peqin për të hetuar Shkumbini‑Bylis dhe nuk arritën dot atje. Ju njoftuam që kemi nis inspektorë edhe në Lushnje për atë denoncimin, por ndeshja u bë dhe ata akoma s’kanë arritur atje. Edhe për hetimin e UEFA-s, të shpresojmë dhe jemi të sigurtë se nuk do të shihni ndonjë rezultat. Ja, vetë Ridi, që akuzon “Bosin e Madh”, tregoi se si u procedua pa tender në ndriçimin 2.5 milionë eurosh të stadiumeve, tha se ia ka futur Tironës nga inati ndaj tij. Ka të drejtë Fushaj, që UEFA nuk ka fakte, por niset vetëm ngaqë jemi vend i vogël. Por Fushaj ndoshta nuk është në dijeni se ajo shprehja jonë popullore, “nga ferra e vogël del lepuri i madh”, është filozofi pune edhe për UEFA-n. Do të kërkojnë lepurin ata, por nuk do të gjejnë gjë në ferrë, se lepuri është rritur aq shumë, sa është bërë sa ai gomari im veshëgjatë e leshgjatë, që duket si ndonjë lepur 330 vjeç. Ata do të kërkojnë lepurin në ferrë dhe nuk do ta shikojnë fare gomarin e madh të korrupsionit që kullot i qetë në fushat e blerta të futbollit shqiptar. Këtu të gjithë japin prova ndershmërie, duke akuzuar dhe sokëllitur kundër korrupsionit, sipas parimit “kapeni hajdutin”, por asgjë nuk del, se nuk mund të kapin veten. Të gjthë sokëllitni e ia fusni njëri-tjetrit, si në kohët e lashta të origjinës tonë majmunore, por ne, të federatës, ua fusim të gjthëve, ama.