30 dhjetor 2009

Metzelder: Nuk largohem nga Reali

Mbrojtësi gjerman vendos të qëndrojë në Spanjë, duke refuzuar ofertat nga Bundesliga
Mbrojtësi i Realit të Madridit, Kristof Metzelder është i vendosur të respektojë kontratën e tij me klubin spanjoll, edhe pse diçka e tillë mund t’i kushtojë vendin te përfaqësuesja gjermane në Kupën e Botës. Nga ana tjetër, ai është i vetëdijshëm se rinovimi i kontratës me “merengesit”, që skadon në qershor të 2010-s, është shumë i komplikuar. “Çdo atlet mbart gjithmonë me vete shpresën, por gjithashtu duhet të tregohet realist. Unë nuk mendoj se Reali i Madridit do ta rinovojë kontratën time, - tha dje Metzelder gjatë një konference për shtyp. - Nuk kam folur shumë me trajnerin dhe mendoj se nuk bëj pjesë në planet e tij. Por nga ana tjetër nuk do të largohem nga Reali gjatë merkatos së janarit.
Në qershor do të vendos përfundimisht të ardhmen time. Do të më pëlqente të largohesha si kampion i Spanjës, ose pse jo, si kampion i Europës.” 29-vjeçari Metzelder beson se shanset e tij për të marrë pjesë në Kupën e Botës janë shumë të pakta, për shkak se nuk aktivizohet si titullar në ekipin e Pelegrinit dhe kjo ia vështirëson punën trajnerit të Gjermanisë, Joakim Lëv.
“Nuk është një moment ideal për karrierën time, por gjithashtu lëvizja në janar është e pamundur, sepse asnjë ekip nuk do të paguante për një lojtar që mund ta marrë falas në muajin qershor, - tha Metzelder. - Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të punoj fort dhe të shpresoj që fati të jetë nga ana ime, sepse më duhet shumë fat për të qenë në Kupën e Botës.” Metzelder ka luajtur 47 ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë për nuk është grumbulluar asnjëherë që pas kampionatit europian, dy vjet më parë, gjatë kohës që ai kaloi te Reali i Madridit..