29 janar 2010

Boban: Zaccheroni nuk është njeriu i duhur për Juven

Ish-lojtari i Milanit, Zvonimir Boban, ka kritikuar vendimin e Juventusit për sjelljen e Alberto Zaccheronit në postin e trajnerit.

Kroati ka qenë pjesë e skuadrës së Zaccheronit, e cila në vitin 1999 fitoi Scudetton, mirëpo ai thotë se ish-trajneri i tij nuk është njeriu i duhur për Juven.

“Jo (ai nuk është i duhuri për Juven), është humbur stili dhe pajtohem me atë që tha Jose Mourinho, Juve nuk e ka respektuar Ferraran”.

“Klubi nuk ishte asnjëherë i afërt me të, gjë që duhet të ndodhë te klubet serioze. Edhe me mënyrën si ndodhi, është krejt absurde dhe nuk ka asgjë elegante në gjithë këtë”.

“Sa i përket Zaccheronit, ai nuk ka pasur punë dhe mund të kuptohet se dëshiron të kthehet, por ai e ka humbur stilin duke pranuar një rol të shkurtër katërmujor”.

“Ai do ta ketë shumë të vështirë që ta drejtojë këtë skuadër. Mendoj se do të kishte qenë më mirë që të vazhdohej me Ferraran”, ka përfunduar Boban.