28 janar 2010

Dy klubet amatore të Superligës

Prishtinë, 28 janar - Për fatin e mirë të Vëllaznimit, deri tash i kanë ikur vetëm dy lojtarë. Mbrojtësit Fisnik Papuçi e Drilon Dragusha kanë zgjedhur Hysin për të vazhduar karrierën, pa e pyetur klubin gjakovar. Vëllaznimi ka pretenduar se kjo dyshe është pjesë e saj, por kështu nuk figuron edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. Në fakt, Vëllaznimi dhe Gjilani janë dy ekipet e vetme të Superligës që nuk kanë deponuar kontratat me futbollistë edhe në Federatë, dhe kësisoj Federata nuk mbron klubin, siç nuk bëri as me rastin e Papuçit dhe Dragushës."Vëllaznimi e Gjilani janë skuadrat e vetme që ende nuk i kanë vërtetuar kontratat në FFK. E nëse klubet nuk i kanë të vërtetuara kontratat, atëherë ne nuk mund ta mbrojmë klubin nga ikja e ndonjë lojtari që gjen skuadër tjetër, pasi në këso raste llogarisim se bëhet fjalë për kontrata amatore. Asnjë kontratë nuk do të jetë valide nëse nuk është e vërtetuar, e vulosur dhe e nënshkruar në FFK. Lojtarët që nuk kanë këso kontratash do të konsiderohen si amatorë dhe pa kontratë", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.Dy klubet që nuk kanë ndjekur rrugën e të tjerave, pranojnë gjendjen faktike. Zyrtarë të Vëllaznimit arsyetojnë situatën me disa probleme që i ka përcjellë gjatë stinorit vjeshtor. Menaxheri i klubit, Ahmet Morina, thotë se kjo çështje do të rregullohet për pak ditë."Jemi të vetëdijshëm se ende nuk i kemi vërtetuar kontratat e lojtarëve në FFK. Por besoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Nuk kemi mundur deri tani pasi ka pasur disa mosmarrëveshje brenda kryesisë së klubit. I kemi humbur dy lojtarë dhe nuk duam të humbasim edhe të tjerët për çështje teknike", ka thënë Morina.Ndryshe nga Vëllaznimi, klubi i Gjilanit ka pasur fat. Kësaj skuadre nuk i ka ikur asnjë lojtar në afatin kalimtar të janarit.Kryetari i Gjilanit, Murat Hoxha, ndihet i befasuar me punët që është dashur të kryhen e nuk janë kryer nga përgjegjësit e klubit."Jam befasuar kur kam dëgjuar. Por mund të them se vonesa mund të jetë edhe pasojë e çrregullimit të kryesisë që e kishim në fillim të stinorit. Besoj se brenda pak ditëve do të kryhet edhe ky problem. Ne i kemi të gatshme kontratat me nga tri kopje për secilin futbollist", ka thënë Hoxha. Sipas rregulloreve të FFK-së, një kontratë profesionale mes klubit dhe lojtarit, duhet të ketë të përcaktuara këto elemente: kohëzgjatjen e kontratës, pagën, afatet e pagesës si dhe të drejtat dhe obligimet e tjera të dyanshme në bazë të ligjeve në fuqi.Vëllaznimi e Gjilani janë skuadrat ndër më të rrezikuarat për rënie nga elita. Gjilani është i dhjeti me 17 pikë, kurse Vëllaznimi i njëmbëdhjeti me 14 pikë, aq sa ka edhe ekipi i fundit, Kosova.