28 janar 2010

Huntelar nuk ndihet më i rëndësishëm

Klas-Jan Huntelar nuk ndihet i rëndësishëm dhe për këtë kërkon të ndryshojë skuadër. Kështu u shpreh menaxheri i sulmuesit holandez: “Kërkon të luajë më shumë, - tha Arnold Osterver, menaxheri i Huntelarit, - kjo është gjithçka që ai kërkon. Nuk është vetëm sepse në verë është botërori dhe ai kërkon të jetë, por edhe për veten e tij. Erdhi tek Milani për të qenë i rëndësishëm për skuadrën dhe për momentin nuk është i kënaqur. Po luan shumë pak, edhe në derbin ndaj Interit luajti vetëm dhjetë minuta dhe kërkon të luajë më shumë.
Nuk ka rëndësi vetëm botërori”. Ardhja e mundshme, por që për momentin është akoma në dyshim e brazilianit Nenè nga Kaljari mund ta bllokojë nisjen e Huntelarit. “Këto janë diskutime që i takojnë klubit, - vazhdon menaxheri i tij. - Shumë skuadra europiane kanë shfaqur interes për Huntelarin, por ai nuk ka ndonjë parapëlqim për ndonjë vend të veçantë. Objektivi i parë është për të gjetur më shumë hapësirë tek Milani, ose të konkurrojë për objektiva të mëdha, duke qëndruar në Itali ose shkuar në Gjermani e Angli për shembull. Nuk më pëlqen të citoj emra dhe të komentoj zërat e shumtë që qarkullojnë, se çdo ditë ka nga një pretendente të re. Oferta nga Italia? Jo, asnjë klub nuk e ka kontaktuar”.