29 janar 2010

Mbetet në Bielefeld

Ditë më parë, mediat gjermane shkruanin se Besart Berisha mund të largohet nga Arminia Bielefeld, gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që trajneri i këtij klubi, nuk llogarit më në shërbimet e tij.
Por, për t’i dhënë fund këtij spekulimi është përkujdesur vetë sulmuesi kosovar, i cili thotë se do të qëndrojë tek klubi nga Bundesliga 2 gjermane, së paku deri në verë. Berisha i ka quajtur të pavërteta shkrimet në mediat gjermane.
“Kam lexuar edhe unë për këtë lajm. Por, nuk është aspak e vërtet, është thjesht një artikull i një gazete lokale të Bielefeldit, e cila më pas është përhapur edhe tek mediat tjera më të mëdha. Mua nuk më ka thënë asgjë as trajneri, e as zyrtarët”, tha 24-vjeçari.
Ai nuk është ftuar as në mesin e 18 futbollistëve, në dy ndeshjet e para që i zhvilloi Bielefeld këtë vit, por përfaqësuesi shqiptar shpjegon se kjo nuk ka të bëjë me mosbesim nga ana e trajnerit në të.
“Unë kam pasur një lëndim të vogël, për këtë nuk jam ftuar në dy ndeshjet e para. Tash jam duke u përgatitur mirë dhe është gjithçka OK dhe në ndeshjet e ardhshme pres të luaj më shumë”, shtoi ai.
Ish-sulmuesi i Hamburgut nuk brengoset që nuk ka minutazh të duhur tek Bielefeld, pasi e konsideron atë ekip të madh. Ai do të mundohet t’i shfrytëzojë sa më mirë rastet që do t’i vijnë.
“Arminia është ekip i madh. Nuk është njëjtë si të luash tek ky klub, e si te një tjetër më mesatar. Unë nuk kam minutazh sa duhet, por do ta pres rastin dhe do të mundohem ta shfrytëzoj atë. Këtu nevojitet vetëm të kesh durim. Ne po arrijmë rezultate të mira, kjo është me rëndësi sesa fakti a luaj shumë apo pak”, vazhdoi sulmuesi biond.
Para se të transferohej tek Bielefeld, Berisha kishte luajtur edhe tek ekipet, Tennis Borussia Berlin, Hamburg, Aalborg, Horsens, Burnley dhe Rosenborg.
Pas 19 xhirosh të zhvilluara në Bundesliga 2 gjermane, Arminia Bielefeld zë pozitën e katërt në tabelë me 34 pikë të tubuara, 6 më pak se kryesuesi Kaiserslautern.