28 janar 2010

Moxhi: Morati, të njëjtën betejë si unë

“Ferrara nuk është fajtor, por viktimë e paaftësisë së drejtuesve të Juves”
Sa herë që Luçiano Moxhi flet, i gjithë futbolli italian hap veshët. Edhe pse në të kaluarën u cilësua si e keqja më e madhe e sportit të top-këmbës, deklaratat e ish-drejtuesit të Juventusit kanë ende peshë. Në mënyrë të papritur, “Big Luçiano” është shprehur përkrah presidentit të Interit, Masimo Morati dhe drejtuesve të tjerë zikaltër, që pas derbit të fituar me Milanin akuzuan se dikush po thur komplot kundër tyre. Pas skandalit “Calciopoli”, Moxhi dhe Xhiraudo mbetën jashtë botës së topit, por “ata që i organizonin këto gjëra janë ende pjesë e këtij sporti”. Kjo ishte një prej fjalive më të bujshme që ish-drejtori i përgjithshëm i klubit bardhezi bëri në emisionin “Chiambretti Night”. Ai shtoi: “Aktualisht, Morati po lufton të njëjtin fenomen dhe të njëjtët njerëz që luftonim edhe ne. Në mënyrë të çuditshme, edhe presidenti i Interit konfirmon se Milani është klubi më i fortë, duke qenë se tashmë ai po flet për komplote. Personat që organizonin këto gjëra nuk janë larguar nga futbolli, e ndoshta Moxhi ishte ai që duhej ‘shkatërruar’. Ne luftonim atë që po lufton edhe Morati, por duket se ishim më të fortë. Duke u bazuar te fjalët e presidentit zikaltër, disa prej atyre që kanë influencë qëndruan në botën e futbollit”. Vlerësimet për kampionët në fuqi të Italisë nuk përfunduan me kaq, pavarësisht se Interi përfitoi në mënyrë të drejtpërdrejtë nga penalizimet ndaj Juves. Moxhi shprehu simpatinë edhe për Zhoze Murinjon, duke theksuar se “portugezi është një trajner me aftësi të jashtëzakonshme komunikuese. E vlerësoj shumë, pasi ai bën të njëjtat gjëra që bëja unë te Juventusi. Çfarë dua të them? Murinjo di të krijojë konfuzion në çdo situatë”. Pyetjes së Kambretit, nëse tekniku zikaltër do të përfundojë në të njëjtën mënyrë, “Big Luçiano” iu përgjigj: “Zhoze nuk rrezikon që dikush ta ‘heqë qafe’, sepse është një trajner dhe rezultatet flasin në favor të tij”.Ishte e pashmangshme që Luçiano Moxhi të mos fliste për Juventusin. Ai vazhdon të flasë për ish-skuadrën dhe nuk i kursen kritikat kundër drejtuesve aktualë të klubit. “Blank dhe Elkan kishin kohë që po projektonin si të më largonin mua dhe Xhiraudon, kjo konfirmohet nga një takim që ata kanë zhvilluar në dhjetor të vitit 2004. Betega? Sinqerisht, nuk e prisja që të kthehej: e nxorën nga dera dhe hyri nga dritarja. Megjithatë, gjithsecili ka mendimin e tij”. 72-vjeçari theksoi se nuk ka ndërmend të kthehet për të punuar përkrah drejtuesve aktualë të “Zonjës së Vjetër”: “Sa të qëndrojnë ata nuk do të kthehem kurrë. Për fajin e tyre nuk më ka marrë malli për Juventusin. Megjithatë, nuk mund të them se jam i lumtur për ecurinë negative, jam përkrah lojtarëve. Trajneri Ferrara drejt largimit? Nëse unë do të isha në klub, Çiro nuk do të ishte vënë në qendër të kritikave. Ai është viktimë e paaftësisë së drejtuesve dhe nuk duhet parë si fajtor. E kam thënë dhe e përsëris: Fajtorët e vërtetë janë Blank dhe Seko. Pesha kryesore bie mbi Blank, pasi ai ishte arkitekti kryesor i shkatërrimit të skuadrës”. Në fund Moxhi foli edhe për blerjet e bujshme të bardhezinjve, Melo e Diego. “Melo është një lojtar i mirë, por roli i tij është mesfushor me tipare mbrojtëse dhe jo organizator. Diego është një lojtar që vlen vetëm për rolin e mesfushorit pas shpinës së sulmuesve, e thënë ndryshe, një element i padobishëm në ekipet e mëdha”, përfundoi ish-drejtuesi juventin.