28 janar 2010

Qetësi në prag të ballafaqimit mes shteteve "armike"

Benguela, 28 janar - Algjeria dhe Egjipti "janë mbyllur" para sfidës gjysmëfinale të Kupës së shteteve afrikane "Angola 2010", që do të zhvillohet të enjten (sot, 20:30) në Benguela. Dy përfaqësueset kanë marrë këtë vendim për të mos lënë hapësirë për sulme armiqësore si në dy ndeshjet eliminatore për Botërorin 2010, në fund të vitit të kaluar. Të dy përfaqësueset kanë anuluar aktivitetet mediale dhe nuk u kanë lejuar reporterëve që të futen në seancat e fundit stërvitore, derisa po përgatiteshin për ndeshjen e së enjtes. "Duam që futbollistët të koncentrohen plotësisht në stërvitje dhe të jenë sa më të përgatitur para ndeshjes", ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Algjerisë, Mohamed Raouraoua. "Jemi shumë të përgatitur fizikisht dhe psikikisht. Shpresojmë të arrijmë deri në finale", ka thënë sulmuesi i Algjerisë, Hameur Bouazza, për agjencinë algjeriane APS.Algjeria dhe Egjipti takohen 70 ditë pas ndeshjes dramatike të plejofit për Botërorin 2010 në Sudan. Algjeria fitoi atë ndeshje me rezultatin 1:0 dhe la Egjiptin pa Botëror.Ndeshja u zhvillua në atmosferë mjaft të tensionuar dhe kacafytjet e tifozëve pas ndeshjes gati sa nuk shkaktuan një incident të madh diplomatik mes dy vendeve. Madje 20 vjet më parë gjatë eliminatoreve për botërorin "Italia 1990", incidentet në ndeshje mes këtyre dy përfaqësueseve ishin edhe më të rënda. Mesfushori algjerian, Lakhdar Belloumi, ia kishte verbuar njërin sy mjekut të Përfaqësueses së Egjiptit, gjatë rrahjeve mes të dyja palëve. Këto dy përfaqësuese kishin qëlluar në të njëjtin grup edhe në eliminatoret për Botërorin 2010. Gjendja u tensionua në ndeshjen e fundit të fazës grupore, ku futbollistët e Algjerisë u sulmuan në Kajro. Disa prej tyre morën lëndime. Egjipti e fitoi atë ndeshje 2:0 dhe pasi të dy ekipet përfunduan me pikë dhe golaverazh të njëjtë, u desh të zhvillohej një ndeshje përcaktuese në terren neutral. U zgjodh Sudani të jetë nikoqir dhe Algjeria e fitoi atë ndeshje, por përleshjet nuk munguan mes tifozëve. Qeveria egjiptiane deklaroi se ka pasur edhe të vrarë në mesin e tifozëve. Në gjysmëfinalen tjetër të Kupës së Afrikës 2010, Nigeria në Luanda do të ballafaqohet me Ganën, po ashtu të enjten (17:00).Finalja e Kupës së Afrikës zhvillohet të dielën.