26 shkurt 2010

Anderson përfundon sezonin

Mesfushori i Manchester Unitedit, Anderson do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit, pas lëndimit në ligamentet kryesore të gjurit në ndeshjen kundër West Hamit të martën...
Braziliani ishte dëmtuar pas 19 minutave lojë në fitoren 3-0, që ishte paraqitja e tij e parë pas më tepër se një muaji. 21 vjeçari pritet të mungojë në Kampionatin botëror. “Është lajm i keq që Anderson ka lënduar ligamentet kryesore të gjurit dhe do të mungojë në vazhdim të sezonit. Është fat i keq për djaloshin, goditje e rëndë. Ai është zgjatur për të pasuar topin dhe gjuri i kërceu”, tha menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson.
“Është lajm i keq për të sepse ai sapo ishte kthyer në ekipin e parë, pas mungesës për disa javë. Ai tregoi energji të mirë gjatë ndeshjes. Por, tani duhet të operohet dhe kjo do të kryhet pas dy javëve. Shpresoj të jetë në dispozicion për fillimin e sezonit të ri. Por, është goditje e rëndë për ne e sidomos para ndeshjes me Milanin sepse Michael Carrick është i suspenduar”, përfundoi ai.