25 shkurt 2010

Del Piero - Bufon: Nuk duhet të gabojmë më

Tri fitore radhazi, një reditje që pas arritjes së vendit të katërt është bërë më e bukur pas shumë javësh në ndjekje të zonës Champions. Hapa të rëndësishëm përpara, por është akoma shpejt për të të folur për një kthesë. Në shtëpinë e Juventusit të gjithë qëndrojnë me këmbë në tokë. Xhixhi Bufon dhe Alesandro Del Piero shohin drejt së ardhmes me besim, por nuk harrojnë vështirësitë që kaluan deri pak javë më parë. Në horizont është sfida me Ajaksin, ndeshja e kthimit e 1/16 të Ligës së Europës dhe më pas përballja direkte me Palermon. Dy ndeshje që nuk duhen gabuar.

“Do të kërkojmë të mbyllim llogaritë me Ajaksin të enjten, pas fitores së bukur që morëm në transfertë, - tha Bufon. - Për ne Liga e Europës është e rëndësishme dhe më pas fitoret i bëjnë mirë moralit të ekipit, duke parë se na pret një seri përballjesh direkte (Palermo, Fiorentina, Sampdoria, Napoli), që mund të na ndihmojnë për të siguruar një vend midis katër të parëve në kampionat. Sezoni është akoma i gjatë dhe mund të na dhurojë shumë gëzime në Itali dhe në Europë”. Edhe Del Piero ka të njëjtin mendim me shokun e skuadrës: “Hap pas hapi, po japim kontributin tonë për ringritjen e skuadrës, - ka thënë kapiteni i Juventusit.

- Për këtë arsye duhet të jemi të vetëdijshëm se mjafton një hap i gabuar dhe mund të na duhet të rifillojmë gjithçka nga fillimi. Kundër Bolonjës u treguam të aftë. Jam shumë i kënaqur për pasimin që i dhashë Kandrevës në rastin e golit të dytë. Ka qenë goli i tij i parë në Serinë A. Tani duhet të vazhdojmë përpara. Edhe pse duket një frazë banale, për ne nuk është e tillë, ndaj nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment”. Tani është e ndaluar të gabohet: “Duket se po përmirësohemi, atmosfera po ndryshon, por nuk mjafton. Tani duhet të mendojmë për Ajaksin që do të vijë në Torino. Më pas do të mendojmë për Palermon, sfidë direkte për zonën Champions. Me pak fjalë, nuk mund të humbim përqendrimin”, ka thënë Del Piero.