25 shkurt 2010

Futbolli Shqiptar ne GrandeJuve

Disiplina “krasit” Kastriotin dhe Gramozin

Krutanëve u hiqen tri pikë dhe gjobitën 1 milionë lekë, Flamurtari fiton ndeshjen në tavolinë 2-0
Tërheqja nga fusha në minutat e fundit të ndeshjes u ka kushtuar rëndë krutanëve, që jo vetëm e kanë humbur ndeshjen në tavolinë 2-0, por u janë hequr tri pikë dhe janë gjobitur me 1 milionë lekë gjobë. Komisioni i disiplinës ka respektuar me përpikëri të gjitha pikat e rregullores dhe nuk ka marrë parasysh ankesën e drejtuesve të Kastriotit, që pretendonin se nuk janë tërhequr nga fusha.
Relacioni i gjyqtarit Sokol Jareci, vëzhguesit dhe delegatit të ndeshjes e ka “groposur” skuadrën krutane që humbi pikën që kishte fituar deri në minutën e 89-të (ndoshta 11-metërshi i akorduar nuk do të mund të realizohej nga vlonjatët) dhe tri pikë të tjera në klasifikim, që mund të sjellin rënien nga kategoria.
Ankesat dhe presionet e njëpasnjëshme të presidentit Artan Djala dhe trajnerit Ramazan Ndreu kanë rezultuar të padobishme. Disiplina nuk ka konstatuar gabim teknik (si në rastin Flamurtari-Besa), përkundrazi, faji u ka mbetur në derë krutanëve. Me këtë vendim të disiplinës Katrioti ka zbritur në vendin e 10-të, pikërisht në atë pozicion që “braktisi” Flamurtari.
Flamurtari ka dalë “i larë” nga disiplina, përveç faktit që një futbollist kuqezi, Halim Begaj, është pezulluar 5 ndeshje dhe gjobitur 100 mijë lekë gjobë për dhunën ushtruar ndaj Genti Gjondedës.
Dhunuesi i Agarajt përjashtohet përgjithmonë
Pamjet e qarta filmike ia kanë bërë “gropën” zëvendëstrajnerit të Gramozit, Altin Hodo, i cili nuk do të mund të merret me futboll gjatë gjithë jetës së tij. Një vendim kaq drastik nuk mbahet mend kur është marrë në të kaluarën e futbollit shqiptar. Grushti që plasi përtokë gjyqtarin Denis Agaraj lëvizi edhe strukturat e MTKRS-së. Ministri Ferdinand Xhaferri bëri padi penale ndaj personit në fjalë, duke shënuar një precedent të pazakontë për një ministër të Sportit.
Viktimë e disiplinës nuk ka mbetur vetëm zëvendëstrajneri Altin Hodo. Klubi Gramozi, për mosmarrjen e masave të nevojshme është i detyruar të luajë dy ndeshje në fushë asnjanëse, masë që ia vështirëson shumë punën për mbijetesë. Me këto vendime të disiplinës, të bazuara plotësisht në rregullore, FSHF kërkon t’i vërë fre dhunës në futboll, që sidomos me fillimin e 2010-s ka marrë përmasa të frikshme.

Vendimet e disiplinës

- Kastrioti, për braktisje të lojës dhe mospranim të rifillimit të saj, e humbet ndeshjen me rezultatin 2 0, i hiqen 3 (tri) pikë nga klasifikimi dhe gjobitet 1.000.000 lekë. .
- Mospranimin e kërkesës së Kastriotit si të pabazuar në rregullore dhe në rrethanat e faktit.
- Halim Begaj i Flamurtarit, për goditje të kundërshtarit, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë gjobë.
- Zv/trajneri i Gramozit, Altin Hodo, për goditje me grusht të arbitrit anësor përjashtohet përgjithmonë nga aktivitetet futbollistike.
- Gramozit, për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë organizative, me pasoja ushtrim të dhunës mbi arbitrat, dënohet me pezullimin e fushës për 2 (dy) ndeshje dhe zhvillimin e tyre në fushë asnjanëse.
- Renato Nishku (U 19) i Gramshit, për goditje e ofendim të anësorit, dënohet me 1 (një) vit pezullim nga të gjitha aktivitetet.
- U 17 dhe U 19 të Gramshit, për mosparaqitje në ndeshjet me Kamzën i humbasin 2 0.
- U 19 i Burrelit, për mosparaqitje në ndeshjen me Kastriotin e humbet ndeshjen 2 0 dhe i hiqen 3 (tri) pikë nga klasifikimi.
- U 17 dhe U 19 të Burrelit, për mosparaqitje në ndeshjet me Besëlidhjen, i humbasin 2 0.
- Trajneri i Adës (U 19) Sabah Bizi, për ofendim të arbitrit, dënohet me 10.000 lekë gjobë.
- Lojtari i U 19-s së Tiranës, Mario Morina, ai i Dinamos Aldo Faja, për shtyrje dhe ofendim të lojtarit kundërshtar dënohen secili me 2 (dy) ndeshje pezullim.
- Trajneri i (U 19) Dinamos, Xhorxhi Puka, për ofendim të arbitrit, dënohet me 10.000 lekë gjobë.
- Trajneri (U 17) i Besës, Fejzi Bubeqi, për ofendim të arbitrit, dënohet me 10.000 lekë gjobë.
- Trajneri i Besës (U 19) Bledar Sinella, për ofendim të arbitrit, dënohet me 10.000 lekë gjobë.
- Lojtarët (U 19) e Besës, Jurgen Karriqi, Ildais Muho dhe Aldo Dura, për ofendim të arbitrit dënohen secili 4 (katër) ndeshje pezullim dhe 5.000 lekë gjobë.
- Ekipi i Maliqit, për mosparaqitje në ndeshjen me Albpetrolin, si pasojë e rrethanave të pavarura nga ekipi, e humbet ndeshjen 2 0.
- Endrit Ziri i Ilirisë, për ofendim dhe gjeste fyese ndaj arbitrit, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 5.000 lekë gjobë.
- Erald Qose i Përmetit dhe Arben Kano i Këlcyrës, për goditje me grusht të kundërshtarit, dënohen secili 8 (tetë) ndeshje pezullim dhe 10.000 lekë gjobë.
- Pranimin e kërkesës së ekipit të futbollit të sallës, Ali Demi, deklarimin të pavlefshëm të vendimit të kryesisë së Shoqatës së Minifutbollit të datave 5 18 20.02.2010 në lidhje me ndryshimin e kushteve dhe rregullave të lojës dhe heqjen e pikëve ekipit të Ali Demit, pasi janë vendime në kundërshtim me rregulloren e aktivitetit e në tejkalim të kompetencave.

Kuzhe shpall listën për Irlandën e Veriut

Dje, FSHF ka shpalluar listën e futbollistëve që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore me Irlandën e Veriut. Trajneri Kuzhe ka ftuar të gjithë lojtarët e rëndësishëm të kombëtares. Fatmirësisht, përveç Samir Ujkanit, i dëmtuar para gati një jave në stërvitje te Novara, të gjithë të tjerët gëzojnë sëendet të plotë. Nga kampionati shqiptar janë thirrur 4 elementë: Andi Lila, Gjergji Muzaka, Elis Bakaj dhe Emilian Vila. Grumbullimi i kuqezinjve do të bëhet të dielën, në hotel “Dyrrahu” në Durrës, ndërsa seancat stërvitore do të zhvillohen po në këtë qytet. Kuzhe do të ketë vetëm dy ditë kohë për të përgatitur lojën dhe formacionim ndaj Irlandës së Veriut.

Djala: Turp, tjetër ndëshkim ndaj Kastriotit

Presidenti Artan Djala garanton tifozët krutanë dhe futbollistët që ekipi do të vijojë kampionatin
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të skuadrës krutane pas vendimit të komisionit të disiplinës dhënë dje pasdite, ku ekipi i Kastriotit ka humbur ndeshjen në tavolinë me Flamurtarit dhe i janë hequr tri pikë të tjera nga klasifikimi, pa harruar gjobën e rëndë.
Presidenti i skuadrës krutane, Artan Djala, e ka konsideruar këtë vendim krejtësisht të njëanshëm, që kërkon me çdo kusht të kompromentojë pozitën e skuadrës së tij për më tej. Duke folur për gazetën “Sporti shqiptar”, presidenti i skuadrës krutanë, mes të tjerash, do të shprehej: “Eshtë një vendim i turpshëm. Nuk e meritonim një ndëshkin të tillë. U pa qartë se çfarë rruge do të merrte një gjë e tillë.
Pamjet filmike tregojnë fare qartë se 11-metërshi nuk ishte. Ky komision nuk i mori parasysh provat tona, por është mjaftuar nga pasionet e tyre për të dënuar skuadrën tonë. Skuadra jonë është ndëshkuar sistematikisht nga gjyqtarët, duke filluar qysh në javët e para të saj.
Për koicidencë, është hera e dytë që skuadra jonë u dënua dy herë në dy ndeshjet me Flamurtarin.” Presidenti i skuadrës krutane pohoi se skuadra e tij do të luftojë deri në fund, sepse mbi të gjitha do të respektojë sportdashësit dhe futbollistët e skuadrës, që deri më tani janë treguar korrektë në fushën lojës, duke demonstruar futboll me nivel.
“Skuadra jonë do të luftojë deri në fund. E bëjmë një gjë të tillë për të respektuar jo vetëm futbollistët, por edhe sportdashësit tanë. Kastrioti do të jetë ai që ne të gjithë jemi mësuar ta shohim gjithmonë,” - do të shprehej Artan Djala, presidenti i skuadrës krutane.
Kështu, kërkesa e krutanëve për të përsëritur ndeshjen nuk është marrë parasysh. Megjithatë, edhe njëherë tjetër krutanët janë treguar korrektë, duke mos bojkotuar kampionatin dhe duke respektuar tifozët, apo edhe futbollistët, të cilët në këtë valë ndëshkimesh ndaj Kastriotit nuk kanë faj, por që janë të humburit direktë, sepse janë ato personazhet për të cilin luhet futbolli.

Veliaj: Humbja me tiranën s’na dekurajon

Mbetet “truri” i lojës së Laçit. Një lojtar me mjaft vlera, sidomos tekniko taktike, çka nuk ka mbetur pa u vënë re edhe nga trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe. Ky është Emiliano Veliaj, mesfushori beratas i skuadrës kurbinase, i cili bën analizën e ndeshjes së humbur me Tiranën, pas tri fitoreve radhazi, ndërkohë që parashikon edhe ardhmërinë e fazës së tretë.
“Ne vërtet u mundëm 1 0 nga Tirana, por mendoj se rezultati më i drejtë, nisur nga ajo që dhanë të dyja skuadrat në fushën e lojës, do të kishte qenë barazimi. Megjithatë, kjo humbje nuk na dekurajon aspak, sepse duhet të shikojmë përpara, të ruajmë pozitën që kemi në klasifikim, duke qenë të sigurtë, për sa i takon objektivit tonë kryesor, qëndrimit në superligë. Ndaj Tiranës kemi bërë lojën tonë, nuk kemi qenë aspak inferiorë karshi kampionëve në fuqi, përkundrazi, kemi krijuar raste jo të pakta për shënim.
Nëse nuk i realizuam ato, kjo mbetet për defekt, që duhet korrigjuar në vazhdim,” - nënvizon në fjalën e tij Veliaj. Më tej, i pyetur për eksperiencën e parë me Laçin, beratasi shprehet mjaft i kënaqur: “Në Laç kam rigjetur veten, pas disa problemeve shëndetësore dhe dëmtimesh që kalova. Jemi një grup i bashkuar lojtarësh, që japim maksimumin në çdo sfidë, si brenda, edhe jashtë. Publiku këtu është mjaft dashamirës, jeton me futbollin, na mbështet kudo, përbën me të vërtetë të ashtuquajturin “lojtar i 12 të” në futboll.”

Meto: E patë ç’bën Apolonia në ditën e vet?

Mesfushori fierak Agim Meto kërkon që ky rezultat të mos jetë i vetmi, por të vijojë me fitore
Fierakët ndodhen në një gjendje të mirë momentale dhe e gjitha kjo ka ardhur si rrjedhojë e fitores që kanë marrë ndaj Dinamos. Dy javë radhazi që fierakët nuk humbasin përbëjnë ogur të mbarë për këtë ekip në lidhje me ecurinë e fazës së tretë. “Prekjen” e fundit të “top formës” së Apolonisë dhe shpresën e besimin se kjo do të zgjasë gjatë, e përcjell përmes optimizmit mesfushori Agim Meto, në intervistën e tij për gazetën “Sporti shqiptar”:
- Meto, më në fund keni dalë te fitorja. A e kishit menduar një 3 0 kundër Dinamos?
- Ne ishim përgatitur me shumë seriozitet për të luajtur kundër dinamovitëve, ishim përgatitur edhe moralisht që të fitonim. Por me thënë të drejtën, nuk e kishim shkuar ndër mend një rezultat të tillë. Ka qenë gjithçka e merituar.
Ne kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, ku do të veçoja më tepër pjesën e dytë. Skuadra jonë arriti që gradualisht të dilte në lojën e vet dhe Dinamo nuk mundi që të na bënte më ballë. Apolonia tregoi edhe një herë se cila është ajo në momentin e saj. Ka qenë një fitore që jo vetëm na frymëzon, por na zgjon njëherësh edhe vetëdijen tonë për forcën që ne kemi.
- Fitoi Apolonia, apo humbi Dinamo?
- Them që fituam ne. Mjafton të shohësh me kujdes kronikën e ndeshjes dhe do të vihen re qartë përpjekjet e shumëfishta të Dinamos për të gjetur rrugën e rrjetës. Ata kanë luajtur më mirë se ne në pjesën e parë dhe kanë qenë të rrezikshëm.
Ka qenë pjesa e dytë ajo që na dha neve epërsinë, pasi i kishim të qarta synimet tona dhe luftuam më fort për ta fituar ndeshjen. Më vjen keq për ndonjë opinion të shpërndarë, që ka si kryefjalë shprehjen: Dinamo lëshoi. Kjo nuk është e vërtetë.
- A duhet të besojë sportdashësi fierak se pas kësaj fitoreje mund të kemi një kthim të vrullshëm të Apolonisë në kampionat?
- Patjetër që po. Nuk është vetëm dëshira e tyre, por është edhe një objektiv dhe një sfidë jona. Ne jemi në vazhdim të punës sonë dhe, pavarësisht se gjërat janë vështirësuar, asgjë nuk na tërheq apo të na demoralizojë.
- Disa humbje të njëpasnjëshme në kampionat kanë krijuar përshtypjen se Apolonia është tërhequr nga synimi i saj i fillimsezonit për pjesëmarrje në Kupat e Europës…?
- Logjika e gjithë pasqyrimit të ecurisë së skuadrës që bëra më lart dhe që unë dua të besoj se do të ndodhë në fazën e tretë, na jep shumë mundësi. Le të futemi atëherë në logjikën e shifrave. Kemi grumbulluar deri tani 29 pikë dhe nuk është ndonjë diferencë e papërballueshme ajo që na ndan nga vendi i katërt. Le të mos biem në mani emërtese “Kupa të Europës”, por të bëhemi më konkretë.
Duke e vlerësuar me syrin real ecurinë e skuadrës sonë dhe të kampionatit në tërësi, unë besoj se do të jemi midis ekipeve më të mira në përfundim të sezonit. Sigurisht, nuk e mendoj të lehtë, pasi lufta do të jetë e ndezur dhe do të vijë duke u ashpërsuar, por uroj që mbi të gjitha të ketë garë të ndershme dhe secila skuadër të marrë atë qe meriton.

Vllaznia, përmbytjet ndikojnë në stërvitje

Kuqeblutë nuk stërviten në terren të hapur prej kohësh dhe kjo ndikon jo pak në formën e tyre
Dimri i sivjetëm ka qenë më problematiku sa u takon reshjeve të rëna, sidomos në veri të vendit situata nuk ka qenë aspak normale. Përmbytjet e janarit nuk mjaftuan dhe ato po shoqërohen me të tjera edhe gjatë këtyre ditëve. Një situatë e tillë ka shkaktuar jo pak probleme edhe tek ekipet e futbollit, sidomos më shumë te Vllaznia.
Skuadra kuqeblu e ka ndierë dhe po e ndien shumë këtë gjë, teksa shumë prej seancave stërvitore të kësaj periudhe janë duke u zhvilluar në ambiente të mbyllura, aspak të përshtatshme për një ekip futbolli. Edhe ditën e djeshme ekipi i Vllaznisë është stërvitur në një ambient të mbyllur. Arsyeja është sërish e njëjta: reshjet e shiut, tashmë të zakonshme prej kohësh në Shkodër, e kanë bërë të pamundur stërvitjen në një terren të hapur.
Në orën 11:00 kuqeblutë janë grumbulluar te kompleksi sportiv “Tek 10 ta” dhe për më tepër se një orë kanë punuar në tapetin sintetik të fushave të minifutbollit. Të pranishëm në këtë seancë të radhës kanë qenë të gjithë futbollistët, me përjashtim të malazezit Mrvlajeviç, që vazhdon të jetë i dëmtuar dhe po rikuperohet. Po ashtu, ka munguar edhe kosovari Leci, që ka shkuar në vendlindje për të marrë bashkëshorten, ngaqë do të jetojë familjarisht në Shkodër tani e tutje. Këta dy lojtarë kanë qenë të vetmit që nuk kanë qenë në stërvitje dje, ndërkohë që të tjerët kanë djersitur jo pak në lojërat e zhvilluara nga ana e stafit drejtues.
Megjithatë, trajnerët Martini, Rakiqi e Dani, sigurisht që nuk janë të kënaqur me një fakt të tillë, pasi duan terren të hapur për të zhvilluar seancat stërvitore, por mundësitë këto janë. Ato pak fusha që janë të mundshme për t’u stërvitur, ofrojnë kushte të pafavorshme për zhvillimin e një stërvitje të mirëfilltë. Sytë e tyre kanë mbetur çdo ditë nga qielli, për të parë nëse do të pushojnë ndonjëherë reshjet e shiut apo jo.
Por në Shkodër sivjet ka mbajtur shumë lagështirë dhe kjo ka krijuar jo pak probleme për ekipet e futbollit. Më së shumti për Vllazninë, e cila është detyruar të stërvitet në më të shumtën e kohës në ambiente të mbyllura. Të martën ekipi është stërvitur në kalçeto, po kështu edhe dje, ndërkohë që futbollistët janë lajmëruar që edhe sot, në orën 11:00, të jenë sërish në kalçeto.

Mrvaljeviç me tërheqje, i vetmi problem

Pas ndeshja me Gramozin është shoqëruar pa shumë probleme në kampin shkodran. E vetmja mungesë dhe shqetësim për stafin drejtues dhe atë mjekësor, ka qenë ajo e malazezit Zhelko Mrvlajeviç. Ky i fundit ka qenë protagonist në ditët e fundit dhe më konkretisht në ndeshjen me Gramozin. Malazezi shtatlartë është autor i golit të vetëm të Vllaznisë në këtë takim, gol që u dha barazimin kuqebluve. Por në pjesën e dytë Mrvaljeviç ka pësuar një tërheqje muskulore dhe për rrjedhojë është detyruar të lërë fushën e lojës në minutat e para të pjesës së dytë.
Stafi mjekësor i ka rekomanduar disa ditë pushim dhe për rrjedhojë ky futbollist që prej së hënës ndodhet pranë familjes së tij në Podgoricë. Duhet pranuar fakti se ai më shumë ka qëndruar jashtë fushave të blerta gjatë vitit 2010 sesa brenda saj. Në ditët e para të janarit, ai vuajti nga një tjetër tërheqje muskulare dhe për rrjedhojë për një periudhë dyjavore u stërvit i diferencuar.
E njëjta gjë duket se po përsëritet edhe tani. Mrvaljeviç, që me ardhjen në krye të Vllaznisë të trajnerit Edi Martini, e ka humbur vendin e titullarit, ngaqë në vend të tij në qendër të mbrojtjes është duke u aktivizuar malazezi tjetër Rajoviç, që po bën një paraqitje të mirë. Në disa raste që është aktivizuar Zhelko, është detyruar të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes për nevoja të skuadrës, por jo me dëshirën e tij, sepse pozicioni i preferuar për të është qendra e mbrojtjes.

Si një minifazë përgatitore për Flamurtarin

Vlonjatët ndoshta do të luajnë edhe një takim miqësor, ndërsa janë në pritje të hedhjes së shortit
Pas një dite pushim, ekipi i Flamurtarit ka rinisur ditën e martë seancat stërvitore, ndërsa duket se tashmë kjo periudhë mund të quhet edhe si një minifazë përgatitore për vetë faktin, sepse kampionati do të rifillojë pas rreth dy javësh për shkak të ndeshjeve të prapambetura që pritet të luhen gjatë kësaj periudhe.
Ekipi vlonjat nuk është i angazhuar as në Kupën e Shqipërisë dhe natyrisht për këtë fakt vëmendja është kaluar plotësisht te takimet e radhës, ndërsa pritet edhe njohja e kundërshtarit për fazën e tretë. Duke mos u ndalur te fakti dhe kërkesa e bërë për përsëritje të ndeshjes së fundit, siç është deklaruar nga kampi i Kastriotit, vlonjatët tashmë e quajnë të përfunduar atë takim dhe normalisht vëmendja kalon për fazën e tretë.
“Jemi të detyruar ta respektojmë vendimin për shtyrjen e kampionatit dhe ajo që mbetet është pa dyshim të rinisim stërvitjet, ku veç ditës së hënë, kam menduar që lojtarët të vijojnë normalisht përgatitjet. Parë faktin që edhe reshjet kanë vijuar gjatë këtyre ditëve, është menduar që seancat stërvitore të zhvillohen sa në pallatin e sportit, ashtu edhe pranë fushës së aneksit, një ambient cilësor. Kështu që duket se Flamurtari përgatitjet do t’i vijojë normalisht.
Eshtë hedhur ideja edhe për ndonjë takim miqësor, megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë, pasi ekipet e tjera janë ndoshta në fazën e tyre, kur disa luajnë për kupë dhe disa të tjera për kampionat, për shkak të ndeshjeve të prapambetura, ndërsa kampionati i kategorisë së parë vijon normalisht dhe pa ndërprerje. Kështu, deri në nisjen e kampionatit, Flamurtari pritet të vijojë përgatitje intensive, ndërkohë që me njohjen e kundërshtarit të fazës së tretë përgatitjet do të vijojnë më pas në funksion të asaj ndeshjeje,” - ka thënë ndër të tjera trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.

Vlonjatët fitojnë një pozicion në renditje

Ndërsa nuk kanë munguar gjatë ditëve të fundit deklaratat për ripërsëritje të ndeshjes me Kastriotin, në Vlorë tashmë duket se vëmendja nuk është aspak te kjo përballje, kjo edhe pas vendimit të djeshëm të komisionit të disiplinës. Tani Flamurtari ngjitet në vendin e 9-të me 24 pikë, 2 më pak se Vllaznia, ndërsa Kastrioti zbret në 23 pikë. Megjithatë, vlonjatët akoma në zonën “play-out” dhe do të kërkojnë gjatë fazës së tretë të shpëtojnë direkt.

Shehaj: Nuk simulova, ishte penallti

Ndërsa është folur shumë për rastin e penalltisë në ndeshjen përballë Kastriotit, sulmuesi vlonjat Ardit Shehaj, protagonist i saj, deklaron se është tërhequr dhe goditur në këmbë nga kundërshtari, shkak që solli edhe humbjen e ekuilibrit dhe me të drejtë sipas tij gjyqtari akordoi penallti.
“Nuk jam nga ata lojtarë që dëshiroj simulimin, por në rastin e fundit jam tërhequr dhe goditur në këmbë nga kundërshtari, pasi kam kërkuar topin, ndaj mendoj se ishte penallti. Gjithsesi, tashmë ajo i kalon së shkuarës dhe ne duhet të mendojmë për ndeshjet e mbetura të fazës së tretë, në të cilat duhet të japim në çdo ndeshje maksimumin tonë për të arritur më të mirën,” - ka thënë sulmuesi Ardit Shehaj.

Gramozi kërkon kualifikimin ndaj Teutës

Futbollistët kolonjarë e kanë lënë pas atë barazim të pamerituar ndaj Vllaznisë në ndeshjen për kampionat dhe problemeve që kaloi ai takim, duke iu përkushtuar tërësisht ndeshjes që do të luajnë përpara sportdashësve të tyre ndaj ekipit të Teutës për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ditën e diel, një takim që u luajt para dy javëve dhe u ndërpre për arsye të kohës së keqe në minutën e 30-të. Pikërisht në këtë ndeshje, kolonjarët synojnë të hedhin një hap tjetër vendimtar drejt kualifikimit të turit tjetër, që do të jetë një histori më vete për këtë ekip.
Atmosfera në kampin kolonjar përpara këtij takimi duket pozitive. Të gjithë mendojnë që kualifikimi të sigurohet që në ndeshjen e parë, pavarësisht se për kolonjarët rëndësi të veçantë ka shpëtimi nga vendet e fundit në kampionat, pasi situata pas barazimit me Vllazninë është përkeqësuar shumë dhe Gramozi do ta ketë shumë të vështirë vazhdimin e kampionatit. Edhe pse duhen edhe dy ditë që të luhet kjo ndeshje, tekniku Canaj ua ka bërë të qartë të tijve se, po të japim më të mirën, patjetër do të marrin një rezultat pozitiv, duke hedhur bazën për ndeshjen e kthimit.

Çota, i vetmi sulmues sot në Korçë

Në mungesë të Miles dhe të Hysës, Çotës i bie të përballojë një barrë të rëndë për durrsakët
Formacioni: Rizvani, Dushku, Jakupi, Stafa, Imeraj, Deliallisi, Muçollari, Hodo, Hoxha, Dosti, Çota. Trajner: Y.Shehu.
“Do të luajmë kundër ish-trajnerit tonë, por kemi përgatitur një skemë të re, që Josa nuk e ka aplikuar asnjëherë, ndaj i kemi marrë masat.” Kështu shprehet sulmuesi i Teutës, Mirel Çota, që do të mbajë barrën kryesore të sulmit në Korçë, për shkak të mungesave të Hysës dhe Miles.
Sipas Çotës, problemi më i madh në Korçë nuk është fakti që Josa e njeh mirë Teutën, por balta e fushës dhe mungesat e durrsakëve. “Sigurisht, është shumë e vështirë të luash me një ekip që ka ish-trajnerin e ekipit tënd, pasi ai na njeh me rrënjë e dhëmballë, por ne e kemi ndryshuar totalisht skemën e lojës dhe e kemi aplikuar skemën e re në të gjitha seancat stërvitore të javës, kështu që Josa do të shikojë një Teutë ndryshe nga ajo që drejtonte vetë. Kjo mund të jetë në favorin tonë, pasi trajneri Josa duhet ta ketë përgatitur Skënderbeun, duke pasur në mendje skemën e vjetër, por ne e kemi ndryshuar atë plotësisht.
Ndaj nuk mendoj se do të jetë shumë problem fakti që përballë kemi Josën sesa fusha me baltë ku do ta kemi të vështirë të luajmë, si dhe dy mungesa të rëndësishme në sulm. Megjithatë, ne jemi përgatitur duke pasur parasysh këto dy probleme, kështu që i kemi marrë masat.
Mungesat e Miles dhe Hysës janë problematike, por gjithsesi unë me Dostin bashkëpunoj mirë, kështu që mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë në Korçë dhe të shënojmë, sepse qoftë edhe një gol i vetëm ka rëndësi të madhe në transfertë,” - thekson Çota, i cili shprehet se durrsakët janë nisur të mërkurën për në Korçë, ku ndodhen të akomoduar, por ende nuk kanë siguri nëse ndeshja do të luhet normalisht, pasi gjatë gjithë rrugës dhe gjatë gjithë kohës shiu nuk ka pushuar. “Nuk e dimë me siguri si do të luhet kjo ndeshje në kushte të tilla, por shpresojmë që të mos shtyhet sërish, pasi mbetëm duke udhëtuar drejt Korçës me autobus.
Në kushtet që kampionati u shty, kërkohet që ndeshja të zhvillohet, por për ne do të jetë problem i madh fusha e Korçës, që i ngjan më shumë një liqeni në këto kushte atmosferike. Shpresojmë të na shkojë mbarë, pasi në terrene të tilla, edhe pse i kemi marrë masat, do ta kemi thuajse të pamundur të tregojmë aftësitë tona teknike, por e sigurt është që do të luajmë me grintë dhe zemër, pasi duhet të dalim me çdo kusht me pikë nga fusha e Korçës,” - përfundon sulmuesi i Teutës, Mirel Çota.

Durrsakët: Shpresojmë që sot të luhet

Durrsakët janë nisur drejt Korçës, pasi do të luajnë me Skënderbeun ndeshjen e prapambetur të kampionatit. Duke pasur parasysh kushtet tepër të rënduara të motit, nuk dihet nëse ndeshja do të luhet normalisht, por gjithsesi Teuta ka zhvilluar një seancë stërvitore paraditen e së mërkurës dhe më pas është nisur për në Korçë.
Durrsakët do të luajnë për herë të parë këtë sezon kundër ish-trajnerit të tyre Josa dhe në këtë ndeshje do të kenë mungesat e Hysës dhe Miles, të cilët për shkak se janë në terapi nuk kanë udhëtuar drejt Korës, për të shoqëruar si spektatorë skuadrën. Duurakët shpresojnë që sot të luhet, pasi mbetën duke bërë rrugë boshe drejt Korçës, apo edhe në Ersekë.