26 shkurt 2010

Mançester, fitorja me “pasoja”

Ferdinand dhe Anderson, të dëmtuar ndaj Uest Hemit, nuk do të luajnë në finalen e Kupës së Ligës
Sër Aleks Ferguson nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë të rëndësishëm në prag të finales së Kupës së Ligës kundër Aston Vilës pasi Rio Ferdinand dhe Anderson kanë probleme fizike. Ferguson ka bërë të ditur ditën e martë pas fitores 3-0 kundër Uest Hemit se Ferdinand ka një shqetësim në shpinë, që do ta detyrojë mbrojtësin të mungojë edhe në miqësoren, që Anglia do të zhvillojë kundër Egjiptit në “Uembli” javën e ardhshme. Ai duhet të ritkhehej pasi ka munguar në takimin kundër Uest hHmit për shkak se ka qenë i skualifikuar, por është ndalur sërish pasi ka dëmtuar shpinën në stërvitje.
Gjithashtu, mesfushori brazilian Anderson, mund të mungojë për finalen e Kupës së Ligës pas dëmtimit të pësuar në gju kundër Uest Hemit. “Rio ka ndier një shqetësim në shpinën e tij të martën në mëngjes”, ka thënë Ferguson pas fitores 3-0 të marrë të martën në kampionat, që i ka çuar “Djajtë e Kuq” një pikë larg Çelsit. “Nuk mund të rrezikojmë me Rion. Ai nuk do të jetë gati për të dielën. Përsa i takon Andersonit do të zhvillohen analiza të mëtejshme. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze, por situata nuk duket e mirë”.
Të paktën, Junajtid do të udhëtojë drejt “Uemblit” me moralin lart pasi janë rikthyer tek fitorja pas humbjes 3-1 të marrë të shtunën e kaluar kundër Evertonit, që Ferguson e ka justifikuar me lodhjen e lojtarëve të tij pas ndeshjes së Championsit kundër Milanit. Runi ka bërë një paraqitje të mrekullueshme duke shënuar dhe shkuar në kuotën e 27 golave të realizuar në këtë sezon, 23 nga të cilët në Premier Ligë. “Runi është si mbreti Mida. Çdo gjë që ai prek kthehet në ar”, ka thënë trajneri i Uest Hemit, Xhianfranko Zola.
“Unë mendoja se po zhvillonte një ndeshje normale, por megjithatë ka shënuar dy gola dhe në fund mund të kishte realizuar edhe një tjetër. Kjo tregon se ai është në një formë të shkëlqyer”. Edhe Ferguson nuk i ka kursyer komplimentat për golashënuesin e tij më të mirë. “Uejn ka bërë një punë të mirë. Duhet ta ketë marrë videon, që i kam dërguar. Po kalon një formë të mirë për momentin dhe shpresojmë që të vazhdojë kështu.
Ne duhej të fitonim. Humbja e së shtunës ka qenë shumë zhgënjyese. Por kemi reaguar shumë mirë kundër Uest Hemit. Duhej të kishim shënuar më shumë”, ka thënë Ferguson. Trajneri skocez ka bërë të ditur se duhet të bëjë disa ndryshime për finalen e “Uemblit” dhe se mbrojtësi Rafael Da Silva do të jetë titullar kundër Aston Vilës. Ndërkohë, Uest Hemi vazhdon të qëndrojë në vendet e fundit të renditjes, por Zola është shprehur i bindur se ekipi i tij mund të qëndrojë sipër tri skuadrave të fundit. “Nuk është e lehtë të luash kundër Mançester Junajtid. Por nuk ka justifikime. Ne duhet të luajmë më mirë nga sa kemi bërë të martën”, ka thënë trajneri italian.