26 shkurt 2010

Refuzoi Finlandën për Swansean

Sulmuesi kosovar, Shefki Kuqi e ka refuzuar ftesën e selektorit Stuart Baxter për të luajtur me Kombëtaren e Finlandës më 3 mars në ndeshjen miqësore ndaj Maltës, sepse ai dëshiron të jetë në dispozicion të plotë të klubit të tij, Swansea, skuadër kjo që synon inkuadrimin në Premierligën angleze.
Sulmuesi 33 vjeçar ka dëshirë që t’i ndihmojë Swanseas në derbin ndaj Nottingham Forest, që është ndeshja e parë nga shtatë sosh që Swansea do t’i zhvillojë brenda muajit mars.
“Unë kam biseduar me trajnerin e Finlandës dhe ai e ka kuptuar situatën time”, ka thënë Kuqi për ueb faqen zyrtare të Swanseas.
“Ne kemi shtatë ndeshje në mars, prandaj është shumë kohë e zënë. Këtu përfshihen edhe shumë udhëtime, ndërsa ndeshja me Maltën ishte vetëm një miqësore, prandaj e pyeta nëse mund të mbetem jashtë skuadrës. Ai ishte i lumtur për kërkesën time dhe për këtë i jam shumë mirënjohës”, ka theksuar Kuqi.
Me këtë rast, trajneri i Swanseas, Paulo Sousa, e ka falënderuar Kuqin për vendimin që e ka marrë. Sousa ndihet mirë tani kur e di se sulmuesi vushtrrias do të jetë në dispozicionin e tij për takimin e radhës të Swanseas.
“I jam mirënjohës Shefkiut që do të qëndrojë me ne, sepse mund të përparojmë me të. Ky është një vendim i rëndësishëm për ne, përkatësisht për sfidat që na presin në muajin mars. I jam mirënjohës edhe Finlandës që na ka mirëkuptuar”, ka deklaruar Sousa.
Prej kur u transferua në Swansea në muajin e kaluar nga TUS Koblenz, Kuqi i ka realizuar dy gola me ekipin e tij të ri, me ç’rast Swansea i ka fituar gjashtë pikë.
Aktualisht Swansea zë vendin e katërt në Championship me 53 pikë të tubuara dhe ky ekip objektiv kryesor e ka inkuadrimin në Premierligë.