26 shkurt 2010

Rekuperimi i Kasanos kthehet në mister

Të dielën në Parma, Sampdorias do t’i mungojnë për shkak të skualifikimit si Xhiampaolo Pacini ashtu edhe Nikola Poci, por nuk do të jetë as Antonio Kasano. Fjalët optimiste të thëna nga përgatitësi atletik i klubit (”Lojtari është i karikuar dhe ka dëshirë të luaj”) janë pasuar nga një mbledhje që është zhvilluar dje midis stafit teknik dhe atij mjeksor ku është vendosur se për shkak të pubalgjisë Kasano nuk mund të rikthehet akoma të jetë pjesë e skuadrës.
Madje, duke parë se vetë klubi ka folur për “një rritje progresive të ushtrimeve që do të zhvillojë lojtari për të përmirësuar gjendjen fizike dhe për të përshpejtuar rekuperimin”, duket se do të duhet akoma pak kohë për ta riparë barezin në fushën e lojës. Megjithatë, ndjesia është se shkaku për mungesën e Kasanos është nga njëra anë pubalgjia dhe nga tjetra vendosmëria e Del Nerit.
Trajneri deri në këtë moment ka patur të drejtë, duke i treguar të gjithëve se mund të luhet edhe pa talentin nga Bari. Dhe gjithashtu bën përshtypje edhe fakti se, disa ditë para zhvillimit të mbledhjes së djeshme teknike, Del Neri, pas përfundimit të takimit në “San Siro”, i ka siguruar të gjithë për “mungesën” e Kasanos. Të dielën në “Tardini” duhet të luajnë në sulm Guberti dhe i riu Skepoviç.