25 shkurt 2010

Saki: Roma, duhet të besosh tek titulli

Ish-trajneri i Milanit beson se verdhekuqtë mund t’i befasojnë zikaltrit në kampionat për titullin

“Interi mbetet skuadra favorite, edhe pse nuk duhet harruar Champiosni; rivali i vërtetë është Roma, sepse përsa i takon vlerave është ekipi që i afrohet më shumë kampionëve të Italisë në fuqi; Milani, nëse ritmi ulet prej këtu dhe deri në fundin e sezonit, mund të triumfojë falë cilësive individuale”. Kështu e shikon luftën për titull në Serinë A, Arrigo Saki, i cili ka analizuar momentet e tre rivalëve kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje deri në përfundim të kampionatit.

- Saki, të fillojmë nga kryesuesit. Pse kaq shumë nervozizëm?

- Nuk e di. Zakonisht, skuadrat e forta janë të qeta. Ndërsa, Interi ka një sindromë sikur është e rrethuar çka u takon atyre që e përfundojnë sezonin në vendin e dytë ose të tretë dhe akoma më e çuditshme është kjo për një skuadër që ka fituar një kampionat në tavolinë.
- Çfarë mendimi keni për ndeshjen e zhvilluar nga zikaltrit të shtunën, me Mourinjon që është skualifikuar për tri ndeshje.

- Më vjen keq. Por, si trajner meriton komplimenta. Falë tij Interi është një skuadër e madhe, disa herë spektakolare sepse tani nuk mbështetet vetëm tek cilësia e lojtarëve. Eshtë një kolektiv me vlerë ndërkombëtare.

- Por, në kampionat ka ardhur barazimi i tretë radhazi dhe në dy ndeshjet e fundit nuk ka shënuar. Si shpjegohet kjo?

- Vetëm në Napoli, dhe në gjysëmorëshin e parë, ka vuajtur. Dhe është normale. Me Sampdorian kanë luajtur me nëntë lojtarë dhe nuk e kanë lejuar kundërshtarin të bëjë asnjë gjuajtje në portë. Interi është shumë superior ndaj të tjerëve dhe po administron avantazhin. Por, kujdes: Championsi të bën të humbësh pikë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë në Europë.

Kundërgoditjet mund të jenë shkatërruese në rastin e një eleminimi. Dhe sfidat janë gjithmonë kundër klubeve të mëdha: Barcelona, Çelsi dhe, nëse përparojnë, të tjerë akoma. Championsi nuk është Liga e Europës. Ia kam shpjeguar Prandelit kur Parma luante në Kupën UEFA. Tani më ka telefonuar për të më thënë se është me të vërtet kështu.

- Roma, në 6 ndeshjet e fundit, ka reduktuar disavantazhin në 8 pikë. E prisnit këtë reagim të verdhekuqve?
- Po, por i shikoja kompetitivë që në fillim. Surpriza, për mua, ka qenë nisja e keqe në kampionat. Për vlerat teknike që kanë janë më afër zikaltërve. Problemi është qyteti fantastik që të transmeton dashuri dhe nxehtësi edhe në mënyrë të tepruar.

Dhe, në të njëjtën mënyrë, dëshpërim kur gjërat shkojnë keq. Të shpërqëndrojnë njerëzit, atmosfera, gjithçka. Vetëm profesionistët e mëdhenj mund të fitojnë. Motivimet janë thelbësore dhe kanë efekt të madh. Prej këtu është nisur edhe Ranieri.

- Domethënë, Roma duhet të besojë apo jo?

- Sigurisht. Mundet dhe duhet të bëjë mirë.

- Po roli i Milanit?

- Leonardo po bën kryeveprën e tij. Sepse kjo skuadër ka lindur nga mijëra planifikime të ndryshme. Dhe është e vjetër. Të marrim tre zëvendësimet në ndeshjen kundër Mançesterit: Inzagi, Favali dhe Sedorf, të tre bashkë kanë më shumë se 100 vite, më saktë 108. Për më shumë i është dashur të përballet me situatat delikate të Didës, Ronaldinos dhe Nestës, lojtarë mbi të cilët nuk kishte siguri se mund të mbështetej, pa harruar largimin e lojtarit më të mirë, Kakà. Në pushimin e pjesës së parë të Milan-Roma, ndeshja e tetë e kampionatit, më kanë pyetur nëse kuqezinjtë do të shpëtonin nga rënia në Serinë B. Nga ajo ditë janë ringritur.