13 mars 2010

Blank: Zakeroni? Të shohim në fund të sezonit

Presidenti bardhezi ka mohuar kontaktet me trajnerin e Fiorentinës, Çezare Prandelin

Pas fitores ndaj Fulhemit në Ligën e Europës, presidenti i Juventusit, Zhan Klod Blank, i pyetur në lidhje me lëvizjet e ardhshme të klubit, ka marrë kohë. “Zakeroni është një njeri me cilësi të mëdha, - ka thënë Blank. - Të shohim në fundin e sezonit”. Në lidhje me zërat që flasin për një kalim të Prandelit tek Juventusi: “Jemi të përqendruar tek ky sezon. Konfirmoj se nuk ka patur asnjë takim dhe se po punojmë me stafin që kemi”. Me pak fjalë, këtë vit, klubi bardhezi ndodhet në një situatë delikate ku i duhet të programojë sezonin e ardhshëm në një moment me të vërtet të veçantë. Po, sepse tekniku i përkohshëm, që ka zëvendësuar Ferrarën, jo vetëm që po bën një punë të mirë, por po kthehet ditë pas dite në një menaxher të mirë. Domethënë një ndryshim i vazhdueshëm që po vë me të vërtet në vështirësi drejtuesit e klubit. Lojtarët e vlerësojnë profesionalitetin dhe punën taktike në fushë, tifozët rezultatet, po drejtuesit? Drejtuesit janë pikërisht të bllokuar, në gjysëm të rrugës midis një konfirmimi të teknikut, mbi të cilin nuk do të kishte vënë bast asnjeri dhe një largimi që do të sillte për pasojë Çezare Prandelin. Tekniku i Fiorentinës, që ndodhet midis Juventusit, Italisë dhe Fiorentinës, duket se ka marrë kohë, dhe pavarësisht përgënjeshtrimeve të Blankut dhe Betegës, është akoma zgjedhja e parë. Koha dhe Liga e Europës do të japin përgjigjet. Më pas ka folur edhe Kamoranezi. “Tashmë jemi larg vendit të parë, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër vetëm zona Champions. Besoj se kemi mundësi të kapim vendin e tretë. Nuk përjashtohet mundësia që skuadrat e tjera, që gjatë këtyre muajve kanë bërë shumë pikë, tani ta ngadalësojnë pak ritmin dhe që tek ne të ndodhë e kundërta”. Kështu, është shprehur optimist mesfushori bardhezi, që pikërisht kundër Fulhemit është rikthyer në fushën e lojës. Dhe Kamoranezi është një lojtar më shumë për Zakeronin.