16 mars 2010

Juve, Melo rrezikon me provën televizive

Të dielën kundër Sienës, Felipe Melo u bë protagonist negativ për të disatën herë. I vërshëllyer nga publiku për një pjesë të mirë të ndeshjes për paraqitjen e zakonshme, në pjesën e dytë braziliani provoi të shfryjë inatin e tij, duke tentuar të godasë me bërryl nigerianin Odibe. Goditja nuk u bë, por nëse gjesti është regjistruar në referimin e gjyqtarit Ruso, Melo rrezikon të dënohet me provën televizive.

Përveç rrezikut, vërtet konkret në këtë aspekt, për të pësuar pezullimin e radhës në pasditen e errët të brazilianit shtohen edhe fyerjet e tifozëve bardhezinj të ardhura në fund të ndeshjes. Një marrëdhënie që nuk është sheshuar asnjëherë ajo mes tifozëve juventinë dhe mesfushorit të kombëtares “Selesao”. Melo, i cili nga ardhja në Torino ka marrë 2 kartonë të kuq, 5 kartonë të verdhë dhe paraqitje shpesh të pamjaftueshme dhe të luajtura jashtë rolit të tij (i jepen detyra në ndërtimin e lojës, që me sa duket s’është në gjendje t’i bëjë), është një nga shenjëstrat e parapëlqyera të publikut torinez, që nuk i fal asgjë.

Djaloshi, aspak i qetë sa i takon karakterit të tij, pas deklaratave për ndeshjen ndaj Bolonjës, “Kush më kritikon është një tifoz i Torinos”, në minutën e 89-të, vendos t’u përgjigjet vërshëllimeve dhe koreve që i kujtojnë të kaluarën e tij “vjollcë”, me shprehjen klasike “shkofshi në djall” dhe “heshtni”.
Zërat e ditëve të shkuara flisnin për një interesim të Arsenalit të Vengerit dhe duke parë momentin, mund të mos kalojnë pa u vënë re në klubin bardhezi.