15 mars 2010

Zakeroni: E fikëm dritën pas 10-të minutash!

Trajneri bardhezi tregon momentet sesi skuadra e tij u përmbys nga Siena që barazoi nga 0-3 në 3-3

As një trajner me përvojë si Alberto Zakeroni arrin të shpjegojë barazimin e pësuar nga Juventusi me Sienën në “Olimpiko”. “Nuk kujtoj ndonjë ndeshje të tillë, pranon trajneri i Juventusit. — Paraqitja ishte e mirë, por pas dhjetë minutash lojë e fikën dritën. Ne jemi një skuadër e shkëlqyer nëse jemi në brendësi të ndeshjes. Në momentin që dalim nga ndeshja, mund të ndodhë gjithçka.

Vërtet keq, sepse Palermo mbetet përpara edhe pse humbi me Udinezen: “Ishte një nga rastet më të rëndësishme për të shfrytëzuar?. Në fillim luajtëm si duhet, shënuam tri gola në dhjetë minuta, me një manovër fluide dhe me aksione të shpejta, vazhdon Zakeroni.

- Pastaj bëmë gabime dhe pësuam golin e parë. Mund të ndodhë të gabosh, por pastaj reagimi duhet të jetë ndryshe. Në pjesën e parë ndoshta më shumë ishte problem i mendjes sesa fizik, por në pjesën e dytë pësuam rënie edhe fizikisht, ata lojtarë që luajtën të enjten në kupë ndjenë lodhje”. Juvja në të vërtetë vazhdon të pësojë gola prej 15 takimesh radhazi: “Kur skuadra pëson gol sistematikisht, diskutimi i përfshin të gjithë. Nuk kemi një ekuilibër mjaft të fortë, është e dukshme”, e mbyll Zakeroni.