21 prill 2010

Juve-Benitez, ngërç prej stafit teknik

Juventusi vazhdon negociatat për afrimin e Rafa Benitez.

Nga Londra, bisedat janë shpërngulur në Paris, ku është parashikuar një tjetër takim ndërmjet përfaqësuesve të klubit bardhezi dhe menaxherit të teknikut spanjoll.

Pengesa kryesore e bisedimeve është kërkesa e trajnerit të Liverpulit, për të marrë në Torino të gjithë stafin e tij teknik. Bëhet fjalë për zëvendësin e tij, Pelegrino, tre trajnerë aerobie, një trajner portierësh, një trajner i ekipit rezervë dhe dy fizioterapistë.

Juventusi kërkon që numri i stafit të jetë më i vogël dhe ky është ngërçi më i madh.

Ndërkohë, për tre vitet e ardhshme, Juve do të ketë në dispozicion për merkaton 200 milionë euro: afro 70 milionë në sezon.