27 prill 2010

Moxhi: Juve në B për faj të Montezemolos

I akuzuari kryesor i Calciopolit: “Interi? Një komplot në Champions League!?

Ish-drejtori i Juventusit, Luçiano Moxhi, gjatë emisionit televiziv italian "Studio Stadio" të dielën, ka lëshuar si zakonisht deklarata që do të bëjnë të diskutohet për ndeshjet fundit në Serinë A dhe jo vetëm.

Roma – “Ranieri meriton duartrokitje për atë që po bën në Romë, sepse ka rigjeneruar një skuadër tashmë në fundin e ciklit me Spaletin. Kundër Samp, verdhekuqtë e kishin fatin në dorë në luftë për titull, por i tradhtoi frika e të fituarit”.

Interi - “Zikaltrit kanë demonstruar se janë të fortë në mentalitet, tipike e skuadrave të mëdha. Ndaj Barcelonës në Milano zhvilluan një ndeshje të bukur, por fituan edhe falë ndihmës së gjyqtarit, siç bëri edhe ndaj Çelsit. Jo rastësisht Murinjo nuk foli për komplot, madje në disa sajte u lexua, se gjyqtari i Champions ishte një mik i tij…. Për ndeshjet e kthimit do të jetë deciziv aktivizimi i Shanjder. Ai është lojtari deciziv i Interit. Nëse jo, do të jetë një problem i madh”.

Baloteli – “Baloteli në fushë ndaj Barçës? Morati e Murinjo kanë gabuar në menaxhimin e djaloshit. Kjo tërhiq e mos e këput nuk i bën mirë maturimit të tij. Me mua Baloteli nuk do të ishte sjellë kurrë kështu. Tashmë është i destinuar të ikë edhe, sepse menaxheri i tij, Raiola, nuk shikohet me sy të mirë në Milano, siç e demonstrojnë shitjet e Ibrahimoviç e Maksuell”.

Juventus – “Juve ka zhgënjyer shumë këtë vit. Kishte grup superior dhe në krahasim me Milanin, por ka dështuar objektivin Champions. Sampdoria e Palermo luajnë më mirë se bardhezinjtë. Me Xhon Elkan president të Fiatit, Montezemolo do rikthehet te Juve? Shpresoj që jo, duke parë dëmet që i shkaktoi ai Juves në të kaluarën dhe sepse nuk duhet harruar kurrë, që Juvja përfundoi në Serinë B për fajin e tij, pasi bindi drejtuesit të tërhiqnin apelimin te ‘TAR’”.

Milani – “Milani tani është në rënie të lirë. Skuadra luan me rritëm të ulët dhe përballë skuadrave të shpejta dorëzohet. Dhe pastaj, që kur kanë mbaruar penalltitë në favor, nuk ka fituar thuajse asgjë

…. Skuadra tashmë ka arritur në fund të ciklit. Trajneri i sezonit të ardhshëm do të jetë Tasoti bashkë me Filipo Galin”.