18 maj 2010

Diego: E ardhmja ime? Nuk e di!

Fantazisti juventin e sheh të pasigurt të ardhmen e tij pas ardhjes së Del Nerit në stol

Në ditën kur është përshëndetur zyrtarisht me Sampdorian, Bepe Marota duhet të mendojë menjëherë për të zgjidhur një çështje delikate në shtëpinë e Juventusit. Atë që ka të bëjë me brazilianët Diego dhe Felipe Melo. Dy futbollistët e kanë mbyllur kampionatin në tribunën e “San Siro”-s dhe më pas, bashkë, janë larguar, pa u bashkuar me ekipin.

Diego, nxitonte për të shkuar në Montekarlo për garën e Formulës 1. “Qëndrimi im tek Juvetusi? Nuk e di”, ka thënë ai. “Unë ndihem mirë, jam i qetë. Nuk besoj se qëndrimi im do të jetë një problem”, ka thënë fantazisti. Fjalë këto që janë përsëritur gjithmonë edhe nga bashkëkombasi i tij Melo, i cili tani është i përqendruar tek Botërori i Afrikës së Jugut që do të fillojë 11 qershorin e ardhshëm.

Domethënë, Marota do të duhet të kuptojë nëse dy lojtarët mund të qëndrojnë tek Juventusi apo nëse duan të largohen. Siguisht, kalimi i Del Nerit në drejtim të Juventusit është një problem sidomos për Diegon, duke parë se në skemën 4-4-2 të ish-trajnerit të Sampdorias figura e mesfushorit të avancuar nuk bën pjesë.

Por, ajo që frenon operacionin e shitjes së dy fubollistëve është aspekti ekonomik, duke parë se rekuperimi i 50 milionë eurove të shpenzuara verën e kaluar për të dy është pothuajse i pamundur. Edhe pse Melo pëlqehet shumë nga Arsenali, dhe për Diegon interesohen disa klube spanjollë, me Atletikon e Madridit dhe Seviljen në krye të listës.