13 maj 2010

Juve ”fshin” edhe Delnerin, tashmë sytë nga Prandeli

Marrëveshja me trajnerin aktual të Sampdorias dukej shumë pranë, por në momentin e fundit ka ndërhyrë presidenti i sapozgjedhur, Andrea Anjeli, të cilin nuk e bind trajneri dorian.

Në këtë mënyrë, e vetmja kandidaturë e mbetur është tekniku aktual i Fiorentinës, Çezare Prandeli. Por edhe rruga për të arritur te kreu i stolit Vjollcë mund të rezultojë më e vështirë nga sa pritet. Kjo pasi presidenti i Fiorentinës, Dela Vale, mund të lërë të lirë trajnerin një vit para përfundimit të kontratës, vetëm nëse Prandelit i ofrohet stoli i kombëtares italiane.

Megjithëse “gjuetia” për trajnerin e ri praktikisht ka filluar që pas shkarkimit të Çiro Ferrarës, “Zonja” ende nuk ka një emër konkret për drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm. Pas braktisjes së pistës Benitez dhe së fundi të Delnerit, klubit nga Torino i mbeten fare pak alternativa. Drejtuesit e rinj duan në krye të skuadrës një teknik me përvojë, karizmatik dhe në gjendje të menaxhojë lojtarët.