24 maj 2010

Kanavaro, kapiteni pa kontratë

Kapiteni i kombëtares së Italisë, Fabio Kanavaro, aktualisht është pa ekip, pasi Juventusi ka hequr klauzolën e rinovimit në kontratën e lojtarit.

Në Kupën e Botës qendërmbrojtësi ka mundësi të vendosë një rekord interesant: mund të jetë i vetmi kapiten kombëtareje që nuk ka një ekip për sezonin e ardhshëm. Aktualisht asnjë klub nuk është i gatshëm të bëjë një ofertë për 36-vjeçarin, megjithëse vetë ai shpreson të qëndrojë aty ku është, në Torino.

“Ende nuk kemi diskutuar për kontratën, sepse klubi është duke bërë ndryshime dhe në këtë moment nuk mund të flasim për këto gjëra. Për mua nuk është problem të shkoj në Afrikën e Jugut pa një kontratë me klubin, sepse mosha më lejon t’i përballoj këto probleme. E përsëris: Juve tani ka çështje më të rëndësishme për të diskutuar”, pohoi kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006.