19 maj 2010

Marota: “Zonja” s’ka nevojë të rindërtohet

“Për korrektësi mund të them se nuk kam nënshkruar akoma, por do ta bëj këtë sot ose nesër”. Bepe Marota ka lajmëruar në këtë mënyrë kalimin e tij të afërt tek Juventusi. “Juventusi është në një situatë që nuk i përshtatet historisë, që ka ky klub. Nuk kam shkopin magjik, por është një president i ri në drejtim dhe uroj të shohim një ringritje në aspektin sportiv”. Domethënë, një Juve që duhet rindërtuar. “Rindërtimi është një fjalë e fortë, unë do të thoja që duhet ribashkuar.

Del Neri? Eshtë normale që një skuadër që kërkon të arrijë objektiva të rëndësishëm të kërkonte trajnerin më të mirë dhe Del Neri vlerësohet si një nga më të mirët. Sigurisht nuk do të kisha dashur asnjëherë t’i shkaktoja një pakënaqësi Sampdorias. Kur jam larguar nga kjo skuadër kam marrë me vete vetëm një bashkëpunëtor. Do të doja të ishte e qartë se Juventusi nuk është vetëm Marota. Përsa i takon lojtarëve mund të them se nuk do t’i krijojmë asnjë shqetësim ish-klubit tim”, ka përfunduar drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve.