27 qershor 2010

Italisë i munguan Totti e Del Piero

Selektori i Argjentinës, Diego Armando Maradona, e ka komentuar eliminimin e hershëm dhe të papritur të kampionit të botës, Italisë, e cila u kthye në shtëpi qysh në fazën e grupeve të kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010.

“Italia jashtë Botërorit? Nuk e prisja, por i mungonte diçka”, është shprehur legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror, ekipi i të cilit do ta zhvillojë ndeshjen e së tetës së finales të dielën kundër Meksikës.

“Sipas meje, italianëve u kanë munguar lojtarët kryesorë si Totti e Del Piero. Me ta, mendoj se gjërat do të shkonin më ndryshe. Cassano? Mungonte edhe ai, por nuk dëshiroj ta kritikoj Lippin”, vazhdoi Maradona.

Ditë më parë, trajneri karizmatik thoshte se eliminimi eventual i Italisë do të ishte skandal. Azzurri e mbyllën fushatën e Afrikës së Jugut në pozitën e katërt, të fundit, në Grupin F - pas Paraguait, Sllovakisë dhe Zelandës së Re - me vetëm dy pikë të tubuara, prej tyre dy barazime dhe një humbje.

Pa dyshim, ky ishte njëri prej botërorëve më të dobët të italianëve në histori. Selektori Marcello Lippi është akuzuar në atdhe për faktin se ka lënë në shtëpi disa yje, përfshirë këtu edhe sulmuesit Antonio Cassano e Mario Balotelli.