15 korrik 2010

Del Neri: Diego dhe Del Piero së bashku? E vështirë!

Luixhi Del Neri është duke punuar tek këmbët, por mbi të gjitha tek mendja. “Më ka pëlqyer shumë mentaliteti që kam parë në ndeshjen e parë kundër Trentinos, të gjithë lojtarët e mi duhet të jenë agresivë në fushën e lojës dhe shumë disponibël”. Trajneri i Juventusit ka përcaktuar edhe linjën e drejtimit për sezonin e ardhshëm, Juventusi i tij duhet të jetë i përqendruar, luftarak, por edhe i shkëlqyer në fushën e lojës. “Duhet të punojmë shumë mbi të gjitha aspektet, edhe tek mentaliteti që kemi në kokë. Duhet të kërkojmë me të gjitha mënyrat të përmirësohemi, nga lojtarët e mi tashmë pres akoma më shumë agresivitet dhe gadishmëri. Duhet të japim detyra taktike precize, që duhet t’i kthejnë menjëherë sigurinë grupit. Të dish se çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës, kjo na ndihmon, me zgjidhjet taktike që do të aplikojmë mund të kalohen të gjitha vështirësitë që do të prezantohen gjatë vitit sportiv”.

Konkurrenca

“Diego dhe Del Piero së bashku? Nuk ka kompeticion ndërmjet dy lojtarëve, por është shumë e vështirë t’i shikojmë në fushën e lojës së bashku. Mund të luajnë dy sulmues të gjatë, por jo dy sulmues të shkurtër, por nuk mund të bëj përjashtime në këtë moment. Nuk do të ndryshoj sjelljen taktike të skuadrës: lojtarët kanë disa karakteristika dhe nëse nuk i shikoj si shumë të afërta, atëherë nuk do të luajnë së bashku. Kam lexuar për një konkurrencë të mundshme ndërmjet Iakuintës dhe Diegos: sipas mendimit tim, janë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme. Diego nuk e ka potencën e Iakuintës, që anasjelltas nuk ka cilësitë teknike që ka mesfushori brazilian. Do të luajë kush është më mirë, në bazë të disa situatave të ndryshme dhe të gjithë duhet të jenë disponibël për të luajtur ose jo nga minuta e parë e ndeshjes”.

Merkatoja

Në këtë moment mendohet edhe për merkaton, por Del Neri nuk është shumë i hapur për një argument të tillë: “Juventusi ka si objektiv të përmirësohet në çdo rol dhe pozicion. Nëse arrin do të ishte shumë mirë, në të kundërt do të qëndrojmë kështu siç jemi. Kemi një grup lojtarësh shumë të rëndësishëm. Fabio Groso? Nëse do të largohet, do të mbërrijë një zëvendësues në rolin e tij, në të kundërt do të qëndrojmë dhe vazhdojmë po me këtë grup që kemi. Të gjithë lojtarët që janë këtu, janë pjesë e projektit tonë. Objektivi jonë i vetëm është të jemi agresivë dhe fitues. Lojtarët cilësorë i kemi. E rëndësishme tashmë është të njihemi më mirë dhe të kuptojmë se çfarë duam”.
Situata e Trezeges, largohet ose nuk largohet? “Është një lojtar që impenjohet shumë dhe ka golin në ADN e tij. Është një garanci e madhe për sulmin tonë”.