12 korrik 2010

Del Neri: Të tjera përforcime, Diego më kujton Donin

“Grupi do të përforcohet akoma më shumë në sektorët që për momentin kanë probleme, por nuk duhet të shpenzojmë vetëm për të shpenzuar. Dëshirojmë të mbajmë në skuadër lojtarët që kemi tashmë në skuadër, sepse janë një vlerë shumë e madhe, që nuk duhet ta humbasim. Njerëzit na duan dhe kjo është e rëndësishme. Dëshiroj të rindryshoj idenë e tifozëve, duke krijuar një skuadër që të ketë zemër dhe që të luftojë”.
Skaramancia dhe frika për të treguar një besim të tepërt e kanë shtyrë trajnerin bardhezi Xhixhi Del Neri të mos prononcojë fjalën titull kampion, por Juventusi këtë sezon nuk do të mjaftohet vetëm duke marrë pjesë dhe kaq. Duhet të ringrihen në nivele të larta pas një sezoni shumë zhgënjyes dhe me një dëshirë të madhe për të luftuar për majat e larta të klasifikimit, në prag të ndeshjes së tij të parë miqësore në krye të pankinës së Juventusit, Del Neri i ka tashmë idetë e qarta.

Objektivat - “Asnjë rezultat nuk është i paarritshëm në këtë sport. Në fund do të fitojë vetëm një skuadër, por gjëja më e rëndësishme është të kemi disa finishe që duhet ti arrijmë. Dëshiroj të krijoj një formacion me një identitet preciz loje dhe me mentalitet fitues, për të kërkuar të arrijmë objektiva të rëndësishëm. Nisemi me një besim të madh në shoqërinë tonë dhe në stafin tonë teknik dhe të shoqërisë. Duhet të ecim mbi bazën e këtij mentaliteti dhe ta dërgojmë dhe në fushën e lojës. Çdo element i grupit duhet të luajë për skuadrën, duhet të tregojmë një mentalitet skuadre”.

Merkatoja - “Grupi do të përforcohet akoma më shumë në sektorët, që për momentin kanë probleme, por nuk duhet të shpenzojmë vetëm për të shpenzuar. Dëshirojmë të mbajmë në skuadër lojtarët që kemi tashmë në skuadër, sepse janë një vlerë shumë e madhe që nuk duhet ta humbasim. Njerëzit na duan dhe kjo është e rëndësishme. Dëshiroj të rindryshoj idenë e tifozëve, duke krijuar një skuadër që të ketë zemër, që të luftojë dhe të vuajë bashkë me ata. Zërat që qarkullojnë për merkaton nuk më interesojnë aspak dhe nuk më kondicionojnë në punën time. Kur skuadra do të jetë plotësisht e përcaktuar do të përcaktoj një rreshtim bazë, që do të shërbejë për një referim për sezonin e ardhshëm sportiv”.

Diego si Doni - “Diego duhet të lëvizë në fushën e lojës shumë lirshëm, me shumë pak detyra taktike në kurriz. Mendoj se është më shumë një sulmues sesa një mesfushor. Një krahasim me Kasanon? Mua më kujton më shumë Kristiano Donin, për të folur për një tjetër lojtar që kam stërvitur kohë më parë, edhe se Kristiano është më shumë sulmues për karakteristikat që zotëron. Diego është më shumë sulmues dhe kur ka hapësira mund ta sulmojë portën pa asnjë problem, sepse aftësitë i zotëron. Më është dukur me shumë dëshirë për t’u rikthyer në nivelet e tija të zakonshme dhe do të ketë hapësirë, ashtu si edhe të gjithë të tjerët. Janë të gjithë të motivuar shumë, nga djemtë më të rinjtë që janë në skuadër, tek veteranët deri tek emrat që janë përmendur si në prag largimi nga skuadra”.

Botërori - “Jam shumë i kënaqur që finalja do të luhet nga dy skuadra europiane dhe kjo është shumë e bukur. Thonim që, Europa ishte në rënie të madhe, ndërkohë ka bërë padronen në këtë Kupë Bote. Shpresoj që, shumë shpejt të ndodhë edhe në Itali e njëjta gjë. Mendoj se duhet të falenderohet shumë Marçelo Lipi për atë që ka bërë dhe për llustrën e suksesit që i ka dhënë Italisë dhe ti urojmë Prandelit të kryejë një punë të rëndësishme për të dërguar përpara idetë e tija”.