17 korrik 2010

“Futbolli italian, në duart e mbi 30 klaneve mafioze”

Pastrim parash nëpërmjet sponsorizimeve, ndeshje të manipuluara, baste ilegale, presidentë “kukull”, biznesi fitimprurës i botës së tifozëve “ultras” dhe kontrolli i akademive të futbollit. Mafia italiane ka vënë nën kthetra futbollin. Ky është denoncimi i shoqatës “Libera”, që ka prezantuar dosierin “Mafiet e topit – Histori kriminale dhe korrupsioni në sportin më të trukuar në botë”. Libri i shkruar nga Daniele Poto do të publikohet në muajin shtator. Shoqata “Libera” e ka drejtuar gishtin nga krahina e Lacios në Romë, e pothuajse në të gjithë pjesën jugore të gadishullit Apenin, duke mos harruar Sicilinë. Por, edhe futbolli në veri të Italisë nuk ka mbetur i paprekur nga vala e ilegalitetit që ka “pushtuar” futbollin. Më tepër se 30 klane mafioze janë të përfshira ose të përmendura në hetimet kryesore që lidhen me korrupsionin në botën e futbollit. Dosieri i paraqitur thekson se “mafia kontrollon bastet, ndikon në rezultatin e ndeshjeve, e përdorin këtë sport për të krijuar lidhje me politikën dhe pastrojnë paratë”.