07 korrik 2010

Juve, 30 milionë euro Volfsburgut për Dzekon

Klubi nga Torino i është rikthyer pistës Dzeko për sulmin dhe ka gati një ofertë prej 30 milionë eurosh për gjermanët e Volfsburgut.

Sipas mediave italiane, drejtuesit bardhezi do të takohen javës tjetër me përfaqësuesit e klubit të Bundesligës, për t’i prezantuar ofertën dhe për të filluar bisedimet. Strategjia e “Zonjës” është që fillimisht të shesë elementët e panevojshëm, për të siguruar të ardhurat që do të investohen në objektivat e merkatos. Në listën e të larguarve përfshihen Kamoranezi, Trezege, Xhovinko, Diego, Zebina, Groso dhe Tiago.

E përditshmja sportive torineze “Tuttosport”, shkruan sot se Juventusi është gati të vrë në pjatë 30 milionë euro për bomberin boshnjak. Por kjo shifër është konsideruar e ulët nga gjermanët, të cilët kërkojnë jo më pak se 40 milionë. Por ish-kampionët e Bundesligës kanë nevojë për një mesfushor, prandaj në marrëveshje mund të përfshihet Sisoko dhe Poulsen.