12 korrik 2010

Trezeguet ka përkrahjen e Del Nerit

E ardhmja e David Trezeguet ende nuk është sqaruar plotësisht, pasi që agjenti i francezit, Antonio Caliendo, ka thënë se ‘Trezegol’ mund të rikthehet përsëri fuqishëm në skenën e futbollit juventin.

Sulmuesi francez është lidhur me shumë klube duke përfshirë dhe Napolin, që ende është fare pranë transferimit të sulmuesit bardhezi. Presidenti i Napolit kohë më parë kishte thënë se ai do të bënte transferime të reja, por vetëm nëse u përshtateshin politikave të klubit, që mund të bien ndesh me kërkesat e larta të Trezeguet.

Caliendo nga ana tjetër ka dhënë një arsye se pse Trezeguet mund të qëndrojë në Olimpico të Torinos, por gjithnjë duke mbetur i hapur për një transferim të mundshëm.

“Nëse do të ishte në dorën time, Trezeguet tashmë do të ishte lojtar i Napolit. Por, vendimet janë në dorën e De Laurentiis (presidentit të Napolit). Tani edhe Del Neri nuk dëshiron ta humbasë lojtarin”, theksoi Caliendo për Radio Kiss Kiss.