22 shtator 2010

Arrihet akordi, lojtarët në Itali tërhiqen nga greva

Takimi mes drejtuesve të Ligës dhe Shoqatës së Futbollistëve në selinë e Federatës Italiane të Futbollit, i ka dhënë fund grevës së paralajmëruar për këtë fundjavë në Serinë A.

Futbollistët patën kërcënuar se nuk do të zbrisnin në fushë, pasi Liga propozoi kontrata të reja kolektive me ta. Dy ishin kundërshtimet kryesore të lojtarëve. Ata nuk pranonin propozimet e klubeve, sipas të cilave futbollistët që nuk janë më të dëshiruar duhet të pranojnë një transferim në vitin e fundit të kontratës si edhe ajo për futbollistët që nuk japin mjaftueshëm në stërvitje, duhet të stërviten jashtë skuadrës së parë.

“Sot është një ditë e rëndësishme, takuam kreun e Federatës dhe jemi të bindur se gjërat do të ndryshojnë”, u shpreh presidenti i Juventusit Andrea Anjeli. Ndërkohë kreu i Ligës Mauricio Bereta u shpreh i bindur në gjetjen e një zgjidhje me drejtuesit e Shoqatës së Futbollistëve. Pas takimit, Liga dhe Shoqata e Futbollistëve kanë rënë dakord për 6 nga 8 pikat e kontratës kolektive, kështu që java e pestë e Serisë A do të luhet rregullisht.

Sipas specialistëve, dëmi që do t’i shkaktohej futbollit italian nga greva e paralajmëruar për më 25 dhe 26 shtator, do të ishte i ngjashëm me atë të skandalit të Calciopolit në vitin 2006. Në rast zhvillimi të grevës, televizionet që kanë blerë të drejtat televizive do të pësonin humbje të mëdha financiare.