14 shtator 2010

Betega: Juvja, inferiore ndaj askujt

Ish-drejtuesi analizon momentin jo të mirë të “Zonjës së vjetër”

Objektivi minimal vendi i katërt? Jo për Roberto Betegan, që ka mbrojtur merkaton e Juves të bërë nga Marota. “Se cilat janë objektivat duhet pyetur ai që ka ndërtuar organikën e ekipit. Por, nuk duhet të harrojmë se Juvja është një skuadër e përbërë nga lojtarët kryesorë të mbrojtjes së Italisë dhe me shumë lojtarë të kombëtareve të tjera.

Dhe më pas, duke parë ecurinë e dy javëve të para, mund të them se nuk ka skuadra ndaj të cilave Juvja duhet të ndihet inferiore”, ka thënë Betega. “Nëse bëjmë një analizë realiste të ecurisë së këtyre dy ndeshjeve, skuadra duhet të sigurojë vendin e katërt në luftë me Palermon që ka pësuar tre gola kundër Breshias? Me Interin që ka bërë në dy ndeshje dy gola, një nga goditje dënimi dhe një me penallti?

Me Milanin që ka bërë katër gola në javën e parë, por më pas ka humbur në Çezena? Me pak fjalë, kush po befason? Xhenoa që ka fituar të parën në Udine dhe më pas ka pësuar tre gola në fushën e saj? Atëherë unë duhet të jem i shqetësuar apo të ndihem inferior ndaj këtyre ekipeve?

Jo, më vjen keq”, ka shtuar një nga lojtarët flamur dhe ish-drejtues bardhezi. Betegas, domethënë, deklaratat për vendin e katërt nuk i kanë pëlqyer. “Si juventin nuk e pranoj diskutimin se Juvja luan për vendin e 4-t. Nuk është në ADN e Juves, nuk besoj se ky është objektivi. Ndoshta janë gjëra që thuhen para kamerave, por jo brenda klubit”, ka thënë ai.