17 shtator 2010

“Calciopoli”, përgjimet e reja në Federatë

Institucioni italian i futbollit ka në duar 170 mijë bisedat telefonike që kanë rëndësi

Para dy ditësh Federata Italiane e Futbollit ka komunikuar se ka marrë nga Gjykata e Napolit - pas pagesës së të drejtave të mëdha të kancelarisë - 228 cd që përmbajnë 170 mijë përgjimet telefonike ndaj “Calciopolit”, përfshirë ato “të rejat” (ose më saktë ato që nuk janë dëgjuar në procesin sportiv 2), të nxjerra jashtë nga avokatët mbrojtës të Luçiano Moxhit.

Tani prokuroria e drejtuar nga Palaci, duhet të ngarkojë një shoqëri të specializuar për të zbardhur përmbajtjen e bisedave, një nismë titanike që do të kërkojë shumë kohë, jo më pak se 2-3 vjet (me një bilanc prej 300 mijë eurosh). Kohë që në të vërtet pajtohet me synimet e Juventusit dhe të tifozëve të saj, të cilët nuk kanë rreshtur asnjëherë së shpresuari për të parë dhe ridhënë titullin 2005-2006 i përfunduar tek Interi, së bashku me titullin e 2004-2005.

Nga ana tjetër, klubi bardhezi ka dërguar shkresa të shumta në federatë, të cilat mbajnë një emër të rëndësishëm, atë të presidentit të ri Andrea Anjeli, i cili kohët e fundit ka theksuar qëllimin për të mos u dorëzuar për këtë çështje madhore. Ndërkohë vjen një “këshillë” për Prokurorinë Federale nga ana e Muaricio Prioresti, njërit prej avokatëve të Moxhit, i cili është i lumtur për suksesin e parë të pjesshëm të arritur:

“Është një akt i vonuar i drejtësisë, por që e presim me kënaqësi, - shpjegon avokati i “Big Luçianos”. - Federata Italiane e Futbollit do të dëgjojë telefonata tronditëse… Pikërisht ato që kanë më shumë rëndësi, sepse deri tani ka dëgjuar ato që ka “dashur” Interi. Megjithatë duhet të përdorin një metodë. Nuk mund të mendojnë t’i zbardhin të gjitha telefonatat. Do të rrezikohej që të fundosej pastaj i gjithë hetimi, sepse koha nuk do të mjaftonte kurrë”.