18 shtator 2010

Del Piero, tani bën rolin e psikologut!

Kapiteni i Juventusit beson se barazimi në Europë mund të ndikojë negativisht te skuadra

Shikimi, mjafton vetëm ky. Arbitri ka vërshëllyer fundin dhe Alesandro Del Pieros nuk i besohej. Ka qëndruar në mesin e fushës me duart në mes, shikim të humbur dhe dukej sikur priste që dikush t’i thoshte: “Mos u shqetëso, Ale është vetëm një shaka”. Ndërsa, gjithçka ka qenë e vërtetë: Juventus nuk di më të fitojë dhe për herën e dytë në katër ditë ka pësuar tre gola.

Të enjten në mbrëmje është befasuar kur mungonin edhe 90 sekonda nga fundi. “Ka qenë mënyra më e keqe për ta mbyllur mbrëmjen, - ka thënë Del Piero. - Në dhomat e zhveshjes ka patur shumë nervozizëm. Kemi bërë disa gabime në pjesën e parë, por më pas kemi reaguar në mënyrën e duhur, duke përmbysur rezultatin”.


ASPEKTI PSIKOLOGJIK - Ky Juventus ka një zemër që rreh fort dhe e tregon këtë në çdo ndeshje dhe pikërisht zemrës, përveç se mendjes, duhet t’i ketë bërë keq ai barazim 3-3 me skuadrën e Leh Poznan. Del Piero e di dhe e thotë: “Nuk duhej: në këtë moment është shumë i rëndësishëm aspekti psikologjik. Rezultati nuk na ndihmon, por sezoni sapo ka filluar. Kemi qenë edhe pak të pafat, momentet e bukura do të vijnë”.

MAGJIA - Goli, i festuar me një shtrëngim duarsh me Del Nerin, ka qenë i mrekullueshëm dhe Alesandro e ka komentuar kështu: “Një lëvizje e thjeshtë: kam dribluar një kundërshtar dhe më pas kam goditur shumë mirë. Kam kuptuar menjëherë se ishte një goditje e bukur”. Me të majtën dhe askush nuk duhet të befasohet.

Me këmbën e gabuar, që edhe aq e gabuar nuk është, Del Piero ka shënuar gola të tjerë shumë të rëndësishëm: të parin në Serinë A kundër Rexhinës (1991-1992), të parin në Europë kundër CSKA-së së Sofjes më pas i anulluar nga UEFA (13-9-1994), në finalen e Championsit të humbur kundër Borusias së Dortmundit (28-5-1997), në Bari pas vdekjes së babait Xhino (18-2-2001). Do të ketë kohë për të bërë edhe të tjerë dhe ndoshta jo vetëm në këtë sezon: Alesandro nuk ka folur akoma me klubin, por nuk është e thënë që ky të jetë viti i tij i fundit te bardhezinjtë.


I VEZHGUAR - Në tribunë ka qenë Atilio Lombardo, vëzhguesi i Roberto Mançinit dhe shoku i shkuadrës i Del Pieros nga viti ‘95 deri në ‘97-n. Pas magjisë së “Pinturikios”, Lombardo është larguar nga stadiumi: nuk kishte nevojë të fluturonte nga Mançesteri për të kuptuar se çfarë di të bëjë kapiteni i Juves.

Barazimi 3-3 ka qenë një lajm i mirë për anglezët dhe natyrisht shumë i keq për bardhezinjtë: “Fitoret të ndihmojnë për t’u përmirësuar sepse të japin më shumë entuziazëm dhe të lejojnë të punosh i qetë. Por disa herë ky mund të vijë edhe nga situatat jo shumë pozitive”, ka përfunduar Del Piero.