18 shtator 2010

Juventusi, problemi është në mesfushë

Mesfushorët bardhezinj nuk arrijnë të ndalojnë sulmet e kundërshtarëve. De Çelje dëmtohet

Në fund, i lumtur mund të ketë mbetur ndonjë bastvënës “i çmendur”, që ka parashikuar një Juventus sërish “fabrikë” golash të shënuar e të pësuar: 3-3 kundër Leh Poznanit ia ka vlejtur bastin, një kuotë që të lë të kuptosh si rezultati bardhezi në Ligën e Europës është për t’u flakur. Ndryshe nga ndeshja e kampionatit me Sampdorian, barazimi i kundërshtarëve erdhi në mënyrë episodike, edhe me fat, me atë goditje të bukur nga jashtë zone të Rudnvnes në 92-in.

Por nëse rezultati, në ato momente, do të ishte 2-0 ose 3-0, goli i polakëve do të kishte marrë thjesht një duartrokitje për respekt. Juvja po fitonte me lodhje 3-2, falë krenarisë, goditjes me kokë të Kielinit dhe këmbës së artë të Del Pieros. Një përmbysje e ardhur si pasojë e gabimeve në pjesën e parë, ku “Zonja” tregoi një fytyrë që s’mund të mos e shqetësojë Del Nerin, më i përkushtuar pas ndeshjes për të nënvizuar aspektet pozitive të paraqitjes së të tijve.

Në të vërtet gabimeve të mbrojtjes u shtohen ato të mesfushës, me mesfushorët që nuk arrijnë më të jenë një mburojë para mbrojtësve. Melo me ndërhyrjet e tij të vonuara, Sisoko akoma larg formës më të mirë, uljet dhe ngritjet e Markizios: “truprojat” e Del Nerit po ngrejnë shumë pikëpyetje.

Akuilani, që ka luajtur vetëm disa minuta kundër Sampdorias, mund të ndihmojë në ndërtimin e lojës, edhe kjo një mangësi: por jo, në dukje, atë të murit që duhet rindërtuar para Kielinit, i vetmi lojtar i besueshëm i një mbrojtjeje që çalon në çdo aspekt (Bonuçi dhe Legrotalje) dhe në krahë (De Çelie, ndër të tjera i dëmtuari radhës midis juventinëve, dhe Grigera).

Ndeshjet e ardhshme do të jenë thelbësore për të kuptuar nëse zgjidhja e problemit mund të jetë e brendshme, nëse katër mesfushorët në dispozicion të Del Nerit do të arrijnë të përmirësohen fizikisht dhe në lojën e tyre, në përshtatje me idetë e trajnerit. Përndryshe, në janar, objektivi për të marrë një sulmues mund të shoqërohet (ose zëvendësohet) nga problemi mesfushor.

I pari emër që, për arsye të qarta, vjen në mendje është ai i Anxhelo Palombos, organizatori i lojës së Sampdorias. Eshtë më shumë një utopi se sa një mundësi e vërtetë, por kandidatët mund të jenë shumë të tjerë, ndoshta ndonjë i harruar nga klubet e mëdha (Gago te Reali i Madridit, për shembull) në pjesën e parë të sezonit. Për momentin mbetet fakti që, vetëm 16 ditë pas mbylljes së merkatos së verës, te Juventusi kanë filluar të mendojnë për atë të janarit, për të korrigjuar diçka. Një nisje aspak e mirë kjo e bardhezinjve.